Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin doli të hënën nga spitali, pasi kaloi dy javë për t’u trajtuar për shkak të komplikimeve pas një operacioni për kancerin e prostatës, gjë të cilën ai e mbajti të fshehtë dhe nuk ia tha as drejtuesve të lartë të administratës dhe as personelit i tij, për ditë të tëra.
Austin do të punojë nga shtëpia derisa të marrë veten plotësisht. Mjekët thanë se “gjendja e tij shëndetësore u përmirësuar ndjeshëm gjatë qëndrimit në spital”. Në deklaratë thuhej gjithashtu se kanceri ishte kapur e trajtuar në kohë dhe se prognoza e Austin është “e shkëlqyer”.
Në një deklaratë, Austin falenderoi personelin mjekësor dhe tha se “mezi po priste të shërohej plotësisht e të kthehej sa më shpejt të ishte e mundur në Pentagon”.
Më 22 dhjetor Sekretari Austin, shtatëdhjetë vjeç, iu nënshtrua një operacioni për kancesin e prostatës në Qendrën spitalore Ushtarake Kombëtare Walter Reed. Sëmundja u diagnostikua në fillim të dhjetorit gjatë një kontrolli rutinë. Por një javë më vonë, më 1 janar, për shkak të një infeksioni pas operacionit, Austin u shtrua në spital në repartin e kujdesit intensiv.
Presidenti Joe Biden dhe zyrtarët e lartë të administratës mësuan mbi shtrimin e Austin më 4 janar. Po kështu Austin mbajti të fshehtë faktin se ishte diagnostikuar me kancer, deri më 9 janar. Presidenti Biden ka thënë se dështimi i Austin për t’i treguar atij për shtrimin në spital ishte një gabim në gjykim, por nga ana tjetër ai tha se ka ende besim tek shefi i Pentagonit.
Gjatë kohës që Austin ishte i shtruar në spital, në fund të javës së kaluar, Uashingtoni nisi një seri sulmesh ushtarake, ndaj grupit rebel Houthi të mbështetur nga Irani. Sulmet kishin si objektiv me dhjetëra vendndodhje të grupit të lidhura me fushatën e tij të sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq. Austin koordinoi lëvizjet e Pentagonit nga spitali.
Megjithatë mungesa e transparencës në lidhje me shtrimin në spital të Austin, ka nxitur një proces rishikime të procedurave të administratës dhe Departamentit të Mbrojtjes mbi njoftimin e Shtëpisë së Bardhë apo edhe zyrtarëve të tjerë, në rastet kur një anëtar i kabinetit duhet të transferojë autoritetin vendimmarrës tek zëvendësi i tij.
Çështja nxiti gjithashtu kritika nga anëtarët e Kongresit në të dy anët e politikës. Ligjvënësi republikan Mike Rogers, kryetari i Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se ka hapur një hetim zyrtar për këtë çështje. Të tjerë ligjvënës kërkuan hapur dorëheqjen e Austin, por Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti nuk ka në plan ta shkarkojë atë.
Mbetet e paqartë se kur Austin do të kthehet në zyrën e tij në Pentagon apo se si do të ndikojnë çështjet e lidhura me shëndetin tek puna e tij, udhëtimet dhe angazhimet e tjera publike në vazhdim. Nënsekretarja e Mbrojtjes, Kathleen Hicks, ka marrë përsipër disa nga detyrat e përditshme të tij ndërsa ai po merr vetën pas trajtimit mjekësor.
Top Channel