Rinisin përpjekjet për emigrim të paligjshëm/ Tentuan të kalonin kanalin e La Manshit, humbin jetën të paktën pesë emigrantë

15/01/2024 17:08

Të paktën pesë emigrantë kanë humbur jetën pasi tentuan të kalonin kanalin e La Manshit në mënyrë të paligjshme me një varkë të vogël.

Lajmi u bë i ditur nga një zyrtar francez, i cili zbuloi se në varkë ndodheshin rreth 70 persona. Ajo u përmbys në orët e para të ditës së djeshme, ndërsa sipas BBC dhjetëra të tjerë janë shpëtuar nga autoritetet. Ende nuk dihet prej nga vinin emigrantët.

Një person mbetet në gjendje kritike për jetën dhe ndodhet në spital, një tjetër person pësoi lëndime por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 32 persona të tjerë mbetën të padëmtuar.

Një hetim ka nisur nga zyra e prokurorit publik Boulogne-sur-Mer për “vrasje të rëndë nga pakujdesia”. Jacques Billant, prefekt i rajonit Pas-de-Calais, deklaroi se rrjetet kriminale po rrezikonin emigrantët.

Dalja në det në ujë 7 gradë Celsius do të thotë të shkosh drejt vdekjes. Me një jetëgjatësi të kufizuar në 10 minuta në rast përmbysjeje“, tha ai.

Ai shtoi se ekzaminimet pas vdekjes do të përcaktojnë shkakun e vdekjes që mund të jetë për shkak të “mbytjes” ose “shokut termik”. Njerëzit u futën në telashe pothuajse menjëherë pasi anija u nis nga brigjet franceze për në Angli rreth orës 02:00 me kohën lokale gjatë së dielës.

Dhjetëra persona po përpiqeshin të hipnin në anije ndërsa ajo u largua nga plazhi dhe u gjend në vështirësi në det. Një anije që patrullonte në det shkoi në vendngjarje dhe gjeti trupat.

Rreth 50 zjarrfikës dhe disa automjete policie u vendosën për të ndihmuar me disa varka dhe një helikopter i Marinës Franceze gjithashtu duke ndihmuar. Të mbijetuarit u dërguan në një qendër të komunitetit lokal.

Drejtuesi ekzekutiv i Këshillit të Refugjatëve, Enver Solomon, deklaroi se vdekjet në kanalin e La Manshit “duhet të jenë një thirrje zgjimi për të ndërmarrë veprime vendimtare”, duke përfshirë sigurimin e rrugëve të sigurta për ata që ikin nga vendet e shkatërruara nga lufta.

Emigrantët e paligjshëm ndërruan jetë disa ditë pasi u regjistrua kalimi i parë në La Mansh. Kjo pason një periudhë gati katër-javore deri më 12 janar, kur nuk u regjistrua asnjë kalim në ujërat Britanike dhe Franceze, për të cilin Zyra e Brendshme njoftoi se ka ndodhur për shkak të kushteve të këqija të motit.

Në të njëjtën periudhë të 12 muajve më parë, në kanal u zbuluan 503 emigrantë që tentua të kalonin. Totali i përkohshëm për vitin 2023 është 29,437 refugjatë, shumë më i ulët se në vitin 2022 ku u regjistruan 45,774 kalime.

Duke folur për BBC-së, Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Cameron, tha se ishte lajm i keq të dëgjoje për më shumë jetë të humbura në La Mansh.

Ai këmbënguli se miratimi i projektligjit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Ruandën, i cili synon të dërgojë disa azilkërkues në vendin afrikan, ishte “thelbësor” për të shpëtuar jetë dhe për të ndaluar njerëzit që kalojnë kanalin me mjete lundruese *varka dhe gomone).

Deputetët konservatorë po ushtrojnë presion mbi kryeministrin Rishi Sunak për projektligjin, të cilin ky i fundit po përpiqet ta ringjallë pasi Gjykata e Lartë vendosi se skema e mëparshme ishte e paligjshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA