Rusia, sipas të përditshmes gjermane Bild, ka një plan sekret për të sulmuar krahun lindor të NATO-s, pas një kundërofensive të suksesshme në Ukrainë dhe zmbrapsjes se ushtrisë ukrainase brenda qershorit.
Bild pretendon se ka siguruar një dokument sekret të përpiluar për këtë çështje nga forcat e armatosura gjermane. Dokumenti pohon se nga korriku, Moska mund të ndërmarrë një seri sulmesh kibernetike dhe forma të tjerë lufte hibride kundër vendeve baltike. Do ta pasojnë, siç thuhet aty, disa përplasje të cilat nuk specifikohen qartë, të cilat Rusia mund t`i përdorë si pretekst për të nisur stërvitje masive në shkallë të gjerë në territorin e saj por edhe në Bjellorusi, pretendohet në dokumentin ushtarak.
Gati dy vjet nga fillimi i luftës në Ukrainë, si ministri i ri i jashtëm francez, ashtu dhe homologia e tij gjerman deklaruan sot se do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën për të gjithë kohën e nevojshme. “Jemi krejtësisht dakord mbi faktin se duhet të mbështesim ukrainasit për të gjithë kohën që do të kenë nevojë”, deklaroi kreu i diplomacisë franceze Stephane Sejourne në një konferencë të përbashkët shtypi me Annalena Baerbock.
“Mbështetja e Ukrainës për aq kohë sa asaj do t`i duhet, nënkupton se ne duhet të organizojmë iniciativa të koordinuara në nivel europian, dhe në bindjen time, kjo përfshin edhe mbrojtjen e vlerave dhe të interesave tona”, u shpreh Stephane Sejourne.
Sejourne e siguroi Kievin gjatë një vizite të papritur të tij atje të shtunën se Ukraina mund të llogarisë në mbështetje nga Franca edhe pas ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Edhe gjatë kohës kur ai ndodhej në kryeqytetin ukrainas, Rusia nuk i reshti bombardimet mbi rajonet ukrainase.
Top Channel