Zbulime të reja po dalin në “dritë” për vrasjen e ndodhur të martën e kaluar në Volos të Greqisë, kur një 50-vjeçar vrau kunatin e tij 33-vjeçar, sapo zbuloi se vajza e tij 18-vjeçare i tha se xhaxhai e përdhunonte dhe e shantazhonte, duke i kërkuar para që të mos zbulonte video dhe foto që kishte regjistruar për veprimet e pahijshme ndaj saj.
I akuzuari pritet të dalë para hetuesisë të hënën e datës 15 janar, në orën 12.00, ndërsa siç ka rrëfyer para avokatit të tij, deklaron se është penduar. 50-vjeçari, i cili ndodhet në qendrën e paraburgimit 24 orët e fundit, i ka kërkuar kriminologut të njohur Alexis Kougia që të merrte mbrojtjen e tij – së bashku me avokatin aktual Michalis Vassilikos. Kështu z. Kougias pranoi kërkesën e të pandehurit dhe të familjarëve të tij.
“Autori e ka kuptuar përmasat e pasojave të veprimit të tij dhe e vetmja gjë që e shqetëson është e ardhmja e fëmijëve të tij. Ai pyet vetëm për fëmijët e tij dhe shqetësohet se si do të jetojnë pasi ai ishte mbështetës i tyre. I ka dhënë siguri në jetë, i ka mbështetur financiarisht”, tha avokati i autorit, zoti Vassilikos.
18-vjeçarja që akuzoi viktimën 33-vjeçarin si abuzues dhe përdhunues fëmijësh ka në krah dy motrat e saj. Sipas mediave vendase, janë marrë deklarata dhe kanë konfirmuar fjalët e motrës së tyre, ndërsa sipas z. Vassilikos nga hetimi ka rezultuar se edhe persona të tjerë e dinin se çfarë po ndodhte dhe do të thirren për të dëshmuar. 18-vjeçarja aktualisht po merr mbështetje nga një psikolog. Gruaja e viktimës nuk ka dhënë ende një deklaratë por ka deklaruar një padi civile.
Fakte të reja për rastin
Në një prononcim për televizionin ASTRA, Alexis Kougias tha se “ka një element tronditës” në çështjen që pritet të zbardhet në ditët në vijim.
“Ka një element tronditës, që është element zyrtar. Nuk dua të zbuloj asgjë më shumë. Megjithatë, ka një element që në një moment të padyshimtë, para se njeriu që unë mbroj të kryente aktin e kundërligjshëm pasi kishte mësuar se çfarë po kalonte vajza e tij, vajza ia kishte treguar më herët profesoreshës së saj në universitetin që ndjek”, theksoi z. Kougias.
Një rol të rëndësishëm në zhvillimin e çështjes luan edhe pronarja e 18-vjeçares, e cila ka njoftuar të atin për faturat e papaguara dhe qiranë dhe që kanë qenë arsyeja që babai të pyesë se çfarë po ndodh.
Pas një presioni të madh, 18-vjeçarja nuk duroi dot. Ajo i ka rrëfyer makthin të atit, por pa i treguar fillimisht se kush ishte autori. Pas shumë orësh presioni, ajo u dorëzua. “Unë do të kujdesem për të,” thuhet se i tha asaj.
Njëkohësisht persona nga ambienti intim i 18-vjeçares nxjerrin në dritë fakte të reja. Një shok i vajzës raporton se 33-vjeçari po e vizitonte në shkollë dhe po e priste jashtë. “Ai vinte jashtë shkollës, priste gjithmonë që vajza të mbaronte mësimin. Më herët ai po ngacmonte vajza të tjera madje ajo kishte ndërhyrë dhe i kishte thënë të ndalonte atë që po bën se ajo është shumë më e vogël se ai. Dhe në përgjithësi ka gjetur vajza nën 18 vjeç”, rrëfen shoku i 18-vjeçares.
Përveç mesazheve kërcënuese në celularin e vajzës ka edhe video dhe foto nga skenat e përdhunimit dhe për këtë pajisja është dërguar në laboratorët e mjekësisë ligjore për të nxjerrë të gjitha dosjet. Siç raporton “Tachydromos”, nuk është vetëm vajza e tij 18-vjeçare ajo që ka rënë viktimë e 33-vjeçarit.
Top Channel