Një zjarr i madh ka përfshirë pesë banesa në qytetin e Burrelit të cilat janë shkrumbuar totalisht.
Kjo ka bërë që pesë familje të mbeten në qiell të hapur, pasi nuk kanë më një çati mbi kokën e tyre. Sipas Drejtorit të Emergjencave Civile, Bashkia Mat, Nezir Sinani u shpreh se është bërë e mundur izolimi i zjarrit nga zjarrfikësit dhe kanë arritur të parandalojnë fatkeqësi në njerëz. Banesat ku këto familje jetoni janë të palegalizuara dhe se më herët kanë qenë magazina të vjetra, pra kanë qenë ndërtesa në ndërtim solid dhe jo të adaptuara.
“Mbrëmë rreth orës 19:00 morëm informacion nga Policia e Shtetit për një vatër zjarri në qytetin e Burrelit. Menjëherë u lokalizua vatra e zjarrit dhe shërbimi zjarrfikës i bashkisë vajti në vendngjarje. Po ashtu aktivizuam bashkëpunimin me bashkitë fqinjë, ku në ndihmë erdhi bashkia e Klosit dhe aktivizuam kërkesën ndaj Ministrisë së Mbrojtjes për pjesëmarrjen në këtë operacion dhe të Forcave të Komandës së Mbrojtjes të cilat janë të vendosura në Burrel. Menjëherë u bë izolimi i zjarrit nga strukturat përkatëse. U bë e mundur që të parandalojmë fatkeqësitë në njerëz. Aktualisht këto janë objekte të palegalizuara, këto janë ish-objekte magazina të ndryshme të vjetra. Jo ndërtesa në ndërtim solide, jo të adaptuara.
Me këto familje do të zbatojmë të gjitha procedurat që janë na jep ligji për mbrojtjen civile, duke filluar nga mbrëmë kemi njoftuar të gjithë familjarët, që janë pesë familje aktualisht, pra dy familje janë me nga tre fëmijë, kurse tre të tjera janë çift. Ne thirrëm dhe biseduam me familjet, i ofruam ndihën tonë si bashki. Mbrëmë ata kërkuan që të qëndronin tek të afërmit e tyre, ndërsa sot kemi filluar të veprojmë sipas ligjit, pra do bëjmë verifikimin e situatës, kemi ngritur grupin e punës për situatën e vendit dhe do vazhdojmë procedurat ligjore”, u shpreh Drejtori i Emergjencave në Mat.
I pyetur për shkakun e zjarrit, Nezir Sinani shprehet se nuk dihet ende, pasi duhet të dalë ekspertiza për të patur një përgjigje të sakte, por mendohet se shkak mund të jetë bërë i ftohti, pasi njerëzit përdorin sistemin elektrik për ngrohje dhe mund të ketë neglizhenca nga ata.
“Shkaku i zjarrit nuk ka dalë sepse s’ka dalë ekspertiza, por mendojmë që mund të jetë edhe nga i ftohti, pasi këtë muaj kemi patur dhe rasteve të tjera të zjarreve në banesa. Mendoj që ka ndikuar i ftohti dhe familjarët përdorin për ngrohje sistemin elektrik dhe kjo neglizhohet në masë”, u shpreh Sinani.
Top Channel