Sot në Gjykatën e Fierit u zhvillua seanca ndaj 34-vjeçarit Aranit Arapi nga Divjaka, i cili u la në arrest me burg pasi bëri dasmë dhe bashkëjetonte me një 14-vjeçare.
Sikurse duket në pamje, gjatë momentit që do njihej me masën e sigurisë, Arapi ka mbuluar kokën me xhup, pasi nuk ka dashur të filmohet nga kamerat.
Aranit Arapi nga fshati Kryekuq i Divjakës është vënë në pranga nga policia mbrëmjen e 10 janarit. Prangosja e tij u bë në banesë pasi prej 10 muajsh ishte në një lidhje me një vajzë 14-vjeçare . E mitura që prej muajit mars të vitit të shkuar jetonte me familjen e djalit ndërsa këta të fundit kishin bërë edhe dasmë.
Lidhja është kundërshtuar vazhdimisht nga prindërit e vajzës të cilët e kanë denoncuar rastin në polici. 34 vjecari është shoqëruar disa herë nga uniformat blu, por më pas është lënë i lirë gjatë kësaj periudhe. Pas denoncimit të radhës, Arapi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës.
Prindërit e djalit thonë se vajza ka qëndruar në shtëpinë e tyre me dëshirë ndërsa diçka të tillë e ka shprehur edhe para policisë. Thonë se as ata dhe as djali nuk kanë qenë në dijeni të moshës së saktë të vajzës. Pas arrestimit të 34-vjeçarit, e mitura është larguar nga banesa e tij dhe është nën asistencën e psikologëve dhe sociologëve.
Top Channel