Marijuana i plotëson kriteret për t`u klasifikuar si drogë me potencial më të ulët për abuzim se të tjerat, ndërsa ka dhe mbështetje shkencore për përdorimin e saj si trajtim mjekësor, thonë studiues nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave.
Raporti i paraqitur prej tyre e mbështet riklasifikimin e saj si substancë të Tabelës III. Marijuana aktualisht klasifikohet si pjesë e Tabelës I, rezervuar substancave më të rrezikshme narkotike që përfshijnë heroinën dhe LSD-në, thotë CNN. Në vitin 2022, presidenti Joe Biden i kërkoi Sekretarit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Xavier Becerra si dhe prokurorit të përgjithshëm që të fillonin procesin administrativ të rishikimit të mënyrës sesi vlerësohet marihuana sipas ligjit federal.
Ndihmëssekretarja për Shëndetësinë, Rachel Levine i drejtoi një letër Administratës për Drogat në muajin gusht, në të cilën mbështeste riklasifikimin në Tabelën III, listë kjo që përfshin “narkotikë me potencial nga të moderuar në të ulët sa i takon krijimit të varësisë fizike dhe psikologjike” siç janë edhe ketamine apo kodeina. Dokumentet e FDA, të postuara në internet, pasqyrojnë siç thuhet aty, “vlerësimin e provave shkencore dhe mjekësore si dhe rekomandimin për rikategorizimin e saj”.
Hulumtuesit e FDA argumentojnë se ky rekomandim bëhet për shkak se marijuana plotëson tre kritere: Ka potencial më të ulët për abuzim se substancat e tjera në Tabelat I dhe II, ka përdorim mjekësor te pranuar aktualisht në SHBA dhe një rrezik të ulët ose të moderuar të krijimit të varësisë fizike nga personat që abuzojnë me të.
Top Channel