Pronari i një lokali në Boboshticë ka rënë në prangat e policisë pas një operacioni gjatë natës së djeshme në Korçë.
Burime kofidenciale bëjnë me dije se u arrestua shtetasi R.K, në lokalin e tij në Boboshticë. Policia thotë se 56-vjeçari kishte përshtatur lokalin për përdorim drogash të forta dhe për lojëra fati, madje edhe në banesë mbante drogë.
Gjatë kontrollit në lokalin e tij, mësohet se të arrestuarit i është gjetur drogë, si edhe armë të ftohta dhe municione luftarake.
Të arrestuarit i janë sekuestruar mbi 160 000 mijë euro.
Në ambientet e lokalit u kap duke blerë doza kokaine, shtetasi M. N., 20 vjeç, banues në Korçë, ndaj të cilit filloi procedimi në gjendje të lirë.
Më tej, nga kontrollet në banesën e 56-vjeçarit dhe në atë të prindërve të tij, shërbimet gjetën sasi të tjera të lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë, 2 krehëra armë zjarri dhe 160 000 euro të dyshuara me burim veprimtaritë kriminale.
Në përfundim të veprimeve procedurale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: sasi lëndësh narkotike heroinë dhe kokainë, një peshore elektronike, municioni luftarak, 1 shkop bejsbolli, shuma e eurove, një laptop, valixhe me çipsa, si dhe automjeti dhe celulari i të arrestuarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel