Nga Ardi Pulaj
“Big Brother (Vëllai i Madh) po ju vëzhgon” është një nga shprehjet që shpjegon qartësisht spektaklin televiziv më popullor në botë dhe në Shqipëri. Shprehja vjen nga romani “1984” i George Orwell, i cili ka patur një ndikim të rëndësishëm kulturor që nga botimi i tij në 1949-ën dhe personazhi “Vëllai i Madh”, tashmë i “futur” në spektakël, ndjek 24 orë të ditës në shtatë ditë të javës, banorët e mbyllur në një shtëpi televizive.
Ndryshe nga ngjarjet në libër — ku partia, e kontrolluar nga një figurë misterioze e njohur thjesht si “Vëllai i Madh”, diktator i perandorisë totalitare dhe autoritare të Oqeanisë — spektakli në TV, nuk fokusohet te rreziqet e mbikëqyrjes së tejskajshme, por është shndërruar në një mundësi për personazhet për të promovuar veten dhe për të treguar lojën e tyre. Ata janë jo vetëm nën vëzhgimin e “Big Brother”, por edhe të miliona teleshikuesve. Dhe sidomos kur banorët nën mbikëqyrjen e “Vëllait të Madh”, janë personazhe të njohur VIP nga fusha të ndryshe të jetës, vëmendja dhe kureshtja e publikut shtohen edhe më shumë.
Top Channel sonte nis sezonin e tretë të “Big Brother Vip Albania”. Si në edicionet e kaluara, si me “Big Brother”, ashtu edhe me “Big Brother VIP”, televizioni premton të sjellë një spektakël të vërtetë. Publiku do të ndjekë jetën e banorëve VIP, gjatë 24 orëve në platformën më të madhe të shqiptarëve, Digitalb, tashmë me transmetimin nga mbi 100 kamera, të shtuara në funksion të spektaklit apo praninë e më shumë mikrofonëve, përfshirë dhe ata të fshehur, për të cilët personazhet nuk kanë dijeni.
Vëmendja e publikut u shtua sa më shumë afronte premiera e “Big Brother VIP Albania 3”. Mediat dhe portalet kanë aluduar prej muajsh se kush do të jenë banorët e shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Kemi lexuar plot emra, por ata vijojnë të mbeten sekret deri sot në mbrëmje. Kemi lexuar aludime edhe për stafin, por mësuam zyrtarisht se producenti i Top Channel, Ledion Liço është prezantuesi i formatit, apo që në pozicionin e opinionistes do të jetë kolegia gazetare, aktualisht deputete në Kuvendin e Shqipërisë, Ori Nebiaj. Apo për faktin që Arbër Hajdari do vijojë të jetë opinionist për herë të tretë, një pozicion jo i lehtë kur ke parasysh që publiku përfshihet shumë si tifoz për një konkurrent të caktuar. Zhurma rreth “Big Brother VIP”, në fakt nuk ka ndaluar që kur Luiz Ejlli, një personazh që i surprizoi dhe fitoi zemrat e shqiptarëve, u shpall fitues i edicionit të kaluar.
Ky “Big Brother Vip Albania 3” mbledh personazhe nga sfera të ndryshme të jetës, të cilët do të përfshihen në debate, do të bëjnë lojën e tyre me synimin e rrëmbimit të zemrave të publikut dhe çmimit të madh. Ata e dinë shumë mirë se formati i “Big Brother” hyn në çdo familje dhe është pjesë e çdo bisede, që nga kafeja e mëngjesit, gjatë një dreke apo darke, në një takim me miqtë apo kur krijon “kundërshtarë” brenda një familjeje, ku anëtarët mbështesin personazhe të ndryshme. Apo kur të tjerë në shtëpitë e tyre kanë organizuar me miqtë “Big Brother party” me ushqime dhe ndonjë gotë. Ne kemi qenë dëshmitarë kur teleshikuesit kanë tejkaluar edhe tifozët më të çmendur të futbollit në mbështetjen për personazhet e “BBV” dhe kur rrugët e qyteteve kanë qenë bosh gjatë kohës së “prime”. Ndaj nuk është çudi që edhe këtë 13 janar, qytetet të zbrazen si të ishte “gjendje karantine” dhe kjo të vazhdojë çdo të martë e të shtunë, për disa javë rresht.
Si e kemi parë në edicionet e mëparshme në Top Channel, në “BBV” ka emocione të forta, sfida, gëzim, lot, ka presion, ka shumë fitues, por dhe humbës që publiku vendos t’i nxjerrë jashtë shtëpisë me televotim. Gara mes tyre bëhet e “ashpër”, pasi nga ky format pjesëmarrësit kanë në mendje famën që fitojnë, duke u kthyer në qendrën e vëmendjes se publikut, një famë që në ditët e sotme përkthehet në më shumë ndjekës në rrjetet sociale e në fitimin e më shumë parave si pjesë e projekteve të marketingut ku nisin të jenë pjesë.
Për më tepër, personazhet në spektakël paraqiten në një dimension tjetër, që publiku nuk i ka njohur më parë. Ata shfaqin forcën, dobësitë, talentet, rrëfejnë jetën e tyre personale, që për disa nuk ka qenë aspak e lehtë. Por, në “BBV” krijohen edhe lidhje romantike që janë bekuar edhe me trashëgimtarë tani, si Einxhel Shkira e DJ Dagz apo Luizi dhe Kiara që pritet të bëhen prindër. Histori dashurie këto që kanë lindur pikërisht në shtëpinë më të famshme televizive të “Big Brother Vip” në Top Channel dhe kanë evoluar para syve të miliona teleshikuesve. Pa harruar që këta të fundit u kanë vënë fëmijëve të tyre të sapolindur emrat e konkurrentëve të shndërruar në idhuj të prindërve.
Ndaj, nuk ka dyshim që edhe “Big Brother VIP Albania 3”, që nis këtë 13 janar, do të sjellë të tjera histori dhe dinamika, pasi këtë e garanton fenomeni “Big Brother” — një reality show me emocione të mëdha si për konkurrentët, ashtu dhe për publikun— që Top Channel di ta prodhojë më mirë se kushdo.
Top Channel