U zotuan për hakmarrje, SHBA koordinon veprimet me Britaninë e Madhe: Sulmet ndaj rebelëve Houthi, të nevojshme!

12/01/2024 19:12

Shtetet e Bashkuara dhe Britania thonë se sulmet ndaj rebelëve Houthi në Jemen ishin të nevojshme, ndërsa ky grup u zotua për hakmarrje, duke shtuar shqetësimet për një zgjerim të konfliktit në rajon.

Bombardimet ishin në kundërpërgjigje të sulmeve nga rebelët e mbështetur nga Irani ndaj anijeve tregtare ndërkombëtare në Detin e Kuq.

Bombardimet që sipas rebelëve Houthi shkaktuan vdekjen e të paktën pesë vetëve dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve, u konfirmuan të enjten në mbrëmje, në orët e para të mëngjesit në Jemen, nga Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri britanik Rishi Sunak.

Me anë të një deklarate, presidenti Biden tha se sulmet ishin “në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedenta nga (grupi) Houthi kundër anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq, përfshirë përdorimin e raketave balistike kundër anijeve për herë të parë në histori”.

Pamjet e publikuara nga Komanda Qendrore e SHBA-së tregonin avionë amerikanë që niseshin nga një anije luftarake për të ndërmarrë sulmet.

Kryeministri Sunak tha të premten se sulmet ishin “të nevojshme” dhe “proporcionale”. Ai foli gjatë një vizite në Kiev, ku njoftoi një paketë të re të mbështetjes ushtarake britanike për Ukrainën.

“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën, por është e qartë se sjellje të tilla nuk mund të mbeten pa përgjigje. Ne duhet të dërgojmë një sinjal të fortë se shkelja e ligjit ndërkombëtar është e gabuar. Askush nuk mund të veprojë kështu pa u ndëshkuar dhe kjo është arsyeja pse, së bashku me aleatët, vendosëm ta ndërmarrim këtë veprim”- tha ai, raporton VOA.

Goditjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara u kryen edhe me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës.

“Veprimet e ndërmarra sot, të mbështetura nga Australia, synojnë mbrojtjen e lirisë së lundrimit në det të hapur dhe atë tregtisë globale. Një gjë e tillë është në qendër të interesave kombëtare të Australisë. Ky vendim nuk u mor lehtësisht”, tha Ministri australian i mbrojtjes, Richard Marles.

Disa vende evropiane mbështetën gjithashtu sulmet duke thënë se ishin të nevojshme për të mbrojtur rrugët jetike ujore në Detin e Kuq. Por zotimi i grupit Houthi për hakmarrje, shton shqetësimet për një zgjerim të konfliktit në rajonin e tensionuar për shkak të luftës në Gazë.

Armiqtë amerikanë dhe britanikë mbajnë përgjegjësi të plotë për agresionin kriminal kundër popullit tonë jemenas dhe ai nuk do të mbetet pa përgjigje dhe pa u ndëshkuar”, tha zëdhënësi usharak i grupit, Yahyaa Saree.

Ndërkohë Rusia i quajti sulmet “të papërgjegjshme”. Ndërsa NATO-ja me një deklaratë mbrojti sulmet duke thënë se ishin për vetëmbrojtje, reagimi i ashpër i presidentit turk Tayyp Erdogan, nxorri në pah ndasitë në mes të vendeve anëtare të aleancës.

“Ishte një përdorim joproporcional i forcës… Kjo është një përpjekje për ta kthyer Detin e Kuq në një det gjaku”, tha ai.

Analistët perëndimorë thonë se është e arsyeshme që veprimet e grupit Houthi të merrnin kundërpërgjigje, por se situata në rajon tashmë ndërlikohet edhe më tej. “Duhet të shohim se cila do të jetë shkalla e përgjigjes së (grupit) Houthi. Dhe ata nga njëra anë, po fitojnë më shumë besueshmëri dhe mbështetje brenda Jemenit si dhe në botën më të gjerë arabe, sepse në këndvështrimi e tyre, ata po ngrihen kundër Izraelit dhe mbështetësve të tij në perëndim. Nga ana tjetër, interesi kryesor i Houthi-ve është ruajtja dhe konsolidimi i pozicionit të tyre brenda Jemenit”, thotë zëvendës drejtori i përgjithshëm i Institutit Mbretëror britanik të Shërbimeve të Bashkuara.

Mbështetja për grupin në Jemen u duk tek turmat që u mblodhën për të protestuar në rrugët e Sanaas ndaj sulmeve.

Pasojat e acarimeve po ndjehen përtej tensioneve rajonale. Çmimi i naftës u ngrit me 4 për qind pas sulmeve. Dhe kompanitë mund të hezitojnë të kthehen në Detin e Kuq në këto kushte. Analisti i tregut të naftës, Tamas Varga thotë se zhvillimet gjatë natës nuk ishin të papritura.

Pse ndodhi? Ndodhi si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme ndaj anijeve tregtare në zonën e Detit të Kuq, të cilat ndërprenë tregtinë ndërkombëtare”, tha ai.

Sulmi i koordinuar ushtarak erdhi një javë pasi Shtëpia e Bardhë dhe një numër vendesh partnere paralajmëruan rebelët Houthi se do të përballeshin me kundërpërgjigje ushtarake nëse nuk ndalonin sulmet.

Më shumë se 50 vende janë prekur nga 27 sulme ndaj anijeve tregtare ndërkombëtare dhe ekuipazhet nga më shumë se 20 vende janë kërcënuar ose janë marrë peng.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA