Shtylla e universiteteve është kërkimi shkencor, por fondet që universitetet kanë ndarë për këtë zë mund të konsiderohen lëmoshë.
Për vitin akademik 2022-2023 universitetet publike shpenzuan një shumë minimale prej vetëm 79 mijë Euro për studime dhe kërkime shkencore nga 42 milion euro që harxhuan në total.
“Në momentin që ne flasim nuk kemi universitete ne kemi gjimnaze dhe shkolla profesionale. Ne ende nuk kemi ndërtuar atë që quhet universitete, që duhet të prodhojë me produktin që ka. Në universitet duhet të tentojë të prodhojë produkte të reja në teknologji, mjekësi”, u shpreh Taulant Muka, kërkues shkencor.
“Reforma e re e universiteteve, që u paraqit si skemë e re shërbimi dhe financimi, është e dështuar, ndaj edhe universitetet janë në këtë gjendje. Një nga parimet ishte autonomia, dhe kishte si qëllim cilësinë në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor. Sot pas kaq vitesh nuk kemi as cilësi në mësmdhënie e as kërkim shkencor nuk ka asnjë interes. Pa kërkim shkencor nuk ka universite, ne i kemi ulur në nivelin e arsimit të mesëm të lartë”, u shpreh Mirela Karabin, pedagoge.
Paratë që si rregull duhet të shkojnë për kërkimin shkencor që është misioni I universiteteve, ironikisht kanë kaluar për arredimin e universiteteve që merr pjesën e luanit. Kështu Universiteti i Tiranës shpenzoi një total prej 380 mijë euro për blerjen e mobiljeve dhe orendive, ndërsa Politekniku shpenzoi 221 000 Euro për rinovimin e sallës “Silvano Pedrollo” në brendësi të Rektoratit, sallë e cila ishte në gjendje të mire infrastrukturore.
Politekniku po ashtu shpenzoi 60 mijë euro për shtylla të përkulshme me sensorë ere.
“Në këtë moment kur u marrin tarifën, u marrim edhe para për shërbime të tjera dhe nuk u ofrojmë shërbime cilësore, patjëtër që nuk do të emigrojnë vetëm për profesionin, por do të emigrojnë edhe për të studiuar. Më Mynih ta zëmë tarifa e studimit është 84 euro në vit, përveç kostos së jetesës dhe ushqimit”, u shpreh Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare.
Top Channel