Ka raste kur rektorati rrëzon preventivin e fakultetit dhe e bën nga e para. Sigurisht, duke rritur edhe më tej shpenzimet e luksit.
Në vitin 2021, Fakulteti i Shkencave të natyrës, pranë Universitetit të Tiranës ka kërkuar të ndërhyhet në rinovimin e rrjetit ekzistues të internetit. Për këtë, fakulteti ka përgatitur një preventiv me vlerë 9.7 mln lekë që ia ka dërguar rektoratit, shumë më pak se planifikimi fillestar në buxhet që ishte 14,5 mln lekë.
Mirëpo drejtoria e investimeve në universitetin e Tiranës nuk e ka marrë në konsideratë preventivin e dërguar nga fakulteti, ndaj i ka kërkuar një kompanie private që ti hartojë specifikimet teknike dhe projekt – preventivin. Fondi limit i vënë në dispozicion ishte 12 mln lekë, pra rreth 2.5 mln lekë më shumë se sa vetë kërkesa e fakultetit. KLSH e ka konsideruar këtë vlerë dëm ekonomik, por Universiteti i Tiranës ka refuzuar. Ai thotë se nuk e ka marrë parasysh shkresën e fakultetit të Shkencave, pasi ndryshimet në zërat e buxhetit nuk mund të kryhen pa miratimin e Bordit të Administrimit.
Në vitin 2020 dhe në vitin 2021, universiteti i Tiranës shpenzoi 3.4 mln lekë për mirëmbajtje pajisjesh elektronike, ndërkohë që këtë e kishte detyrë ta bënte vetë stafi i IT-së së universitetit. Vetë Universiteti është justifikuar se gjatë kësaj periudhe kishte mungesë personeli të IT-së, ndaj ka kërkuar ndihmë tek privatët.
Top Channel