“Inside Story”/ Libra për fëmijë dhe show bizz, titujt qesharakë për të cilët universitetet harxhuan miliona lekë

10/01/2024 22:27

Ka edhe raste flagrante ku keqmenaxhimi i fondeve nuk është thjesht dëm ekonomik, por mund të ndikojë në keqformimin profesional të studentëve.

Në muajin janar 2023, universiteti i Korçës “Fan Noli” hapi një tender për blerjen e librave për bibliotekën e tij.

Ajo që vihet re është fakti se një pjesë e konsiderueshme e librave të kërkuar nga fakultetet janë tituj shoë bizz. Madje mes tyre ka edhe libra për fëmijë të moshës 8 vjeç, që nuk përkojnë me nivelin e dijeve që duhet të marrin studentët në universitet.

Për të blerë këto libra, Korça shpenzoi 4 mln lekë. Por, është e paqartë procedura që ky universitet ka përzgjedhur se cilat libra e meritojnë të kenë një vend në bibliotekën e këtij institucioni të lartë arsimor. Fituese u shpall shoqëria “Argenta”. Nga hulumtimi i listës vihet re se një pjesë e konsiderueshme e librave të përzgjedhur janë botime pikërisht të kësaj shtëpie botuese, duke ngritur pikëpyetje për procedurat e tenderit.

Në këtë listë bëjnë pjesë edhe 8 libra që kanë si autor Mehmet Gëzhillin, i cili ka qenë ish pronar i “Argenta”.
Një pjesë e konsiderueshme e kësaj liste janë libra limonatë që lexohen në plazh apo libra motivues që kanë si autorë folës publikë dhe influencer.

“Zgjoni Gjigandin e brendshëm” është njëri prej tyre. Me autor Anthonny Robinss i cili njihet për të folurën publike si “Coach life”- trajner jete dhe autor librash vetë-ndihmues. Një libër që tregon se suksesi varet së pari nga vlerat e qëndrueshme.
“Lumturohu” bën pjesë në kategorinë e librave “self help books”, pra libra për të ndihmuar vetveten…

A pranoni parashikimet negative që bëni për veten, përpara se t’i provoni? A ndieni se presionet në jetën tuaj po ju shpërqendrojnë nga gjërat e rëndësishme? Këto ju mëson studentëve të Korçës së Gjuhës shqipe, ky libër.

“Arti i brishtë i Not Giving a Fuck” me autor një bloger, është një tjetër libër që ka porositur universiteti i Korcës për bibliotekën e tij. Në përshkrimin që i bëhet librit thuhet se ai është një guidë për zhvillimin personal, që tregon ku qëndron çelësi për të qenë të lumtur.
“Për dekada me radhë na kanë thënë se çelësi për një jetë të lumtur dhe të pasur, është të mendosh pozitivisht. Por kësaj i ka ardhur fundi. “Pirdhu pozitivitet”, – thotë Mark Manson. “Të jemi të sinqertë; ndonjëherë, gjërat në jetën tonë janë mut dhe duhet të mësojmë si të jetojmë me to”, – thotë autori i këtij libri që studentët e Korçës mund ta gjejnë edhe në bibliotekën e universitetit.

Top Channel