Turizmi në Shqipëri vijon të bëjë jehonë në mediat e huaja, ndërsa së fundmi media e njohur britanike “The Mirror” ka bërë edhe vendin tonë pjesë të pesë destinacioneve që mund të vizitohen edhe gjatë dimrit.
‘Viti i Ri, lista e re e dëshirave për udhëtime! Por ku do të paketoni valixhet dhe kuriozitetin tuaj për të zbuluar në vitin 2024?’-nis artikullin “The Mirror”, ku rendit edhe Shqipërinë.
Sipas shoqatës britanike të turoperatorëve dhe udhëtimeve shkruan The Mirror, pothuajse gjysma (47%) e pushuesve planifikojnë të vizitojnë një qytet të ri apo vendpushim këtë vit.
“Ne e dimë se shumë njerëz janë në kërkim të frymëzimit dhe sugjerimeve të reja se ku të shkojnë, kështu që ekipi ynë i ekspertëve në ABTA ka bashkuar një listë të ‘Destinacioneve për t’u parë’ të cilat ofrojnë përvoja të ndryshme dhe të paharrueshme në mbarë globin. Disa janë paksa të papritura dhe të gjitha ia vlen të vizitohen. Destinacionet shfaqin gamën e mahnitshme të përvojave që bota jonë ofron për pushuesit. Kështu, ne kemi zgjedhur një përzgjedhje të atyre pikave të nxehta të ABTA-s dhe disa të preferuarave të vjetra për t’ju hapur oreksin për 12 muajt e ardhshëm….”- citohen operatorët turistikë në Britani nga The Mirror.
Shkrimi për Shqipërinë
“Pushuesit e zgjuar po zbulojnë këtë destinacion piktoresk, miqësor dhe me vlerë të mirë, i cili shërbehet gjithnjë e më mirë nga operatorët turistikë në Mbretërinë e Bashkuar.
Kryeqyteti, Tirana është me muze interesante, qyteti i dytë, Durrësi ofron një amfiteatër romak dhe bukuri të tjera arkeologjike, ndërsa zona e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Gjirokastra, shfaq pasuri arkitekturore.
Shumica e britanikëve do të shkojnë në rivierën shqiptare me çmime të mira për plazhe dhe resorte të bukura si Saranda. Në brendësi, liqenet e Shkodrës dhe Bovillës plus malet e Parkut Kombëtar të Thethit kërkojnë të zbulohen. Ushqimi shqiptar përmban pjata të shijshme dhe të shëndetshme mesdhetare.”
Artikullin e “The Mirror” e ka shpërndarë edhe kryeministri Edi Rama, i cili rithekson se për herë të parë Shqipëria është vendosur në raportin e ABTA – shoqata britanike e turoperatorëve dhe udhëtimeve – si një nga 10 vendet që duhen vizituar këtë vit.
“Dhe gazeta e njohur britanike “The Mirror” u bën jehonë thesareve turistike të Shqipërisë duke nisur nga muzetë e kryeqytetit, amfiteatrit romak të Durrësit, për të zbritur në plazhet e rivierës, pasuritë arkitekturore të Gjirokastrës e për të zbuluar më në brendësi të vendit liqenin e Bovillës apo Parkun e Alpeve. Për herë të parë Shqipëria është vendosur në raportin e ABTA – shoqata britanike e turoperatorëve dhe udhëtimeve – si një nga 10 vendet që duhen vizituar këtë vit”-shkruan Rama.
Top Channel