Dy vëllezër janë prangosur me 1 kilogram kokainë që dyshohet se do ta shisnin në doza pranë shkollave të Durrësit.
Në kuadër të operacionit “Tempulli” dhe paketës së masave për sigurinë në shkolla u organizua një operacion policor i koduar “Pjeza”.
Policia vendore njoftoi se në prag të fillimit të shkollës goditi një tjetër rast të shitjes së drogave të forta, në afërsi të shkollave, në lokale dhe ambiente të ndryshme, ndërsa sekuestroi 1 kilogram e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 2 peshore elektronike që shërbenin për ndarjen në doza të lëndës narkotike, 2 automjete dhe 4 celularë.
Gjatë operacionit, shërbimet e policisë kapën dhe vunë në pranga shtetasit Ndriçim Balla, 45 vjeç, dhe Indrit (Balla) Dauti, 41 vjeç, vëllezër, banues në fshatin Pjezë të Shijakut, ndërsa sekuestruan në cilësinë e provës materiale lëndën e dyshuar si narkotike, pajisjet për dozimin e saj, 2 automjete dhe 4 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel