Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg të Dritan Rexhepit, të shpallur fajtor për vrasjen e dy policëve në vitin 1999 në Krujë.

Vendimi i Kushtetueses lidhet me fajësinë e 43-vjeçarit për vrasjen e policit Durim Kasmi në vitin 1999 në qendër të Krujës dhe plagosjen e Ramazan Bakiut, me pasojë vdekjen disa ditë më pas. Rexhepi u gjykua në mungesë pasi u arratis nga policia e Durrësit në vitin 2007 dhe humbi gjurmët. Ai u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm më 20 shkurt 2009, por si pasojë e ankimimit nga avokatët, çështja u kthye për rigjykim. Pasi rishqyrtoi dosjen, gjykata e krimeve të rënda vendosi dënimin e Rexhepit më 25 vjet heqje lirie në mungesë.

Edhe pse në kërkim, bosi i trafikut të drogës e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit, në Gjykatën e Lartë dhe më pas në Kushtetuese. Sipas prokurorisë, vrasjen e policit Durim Kasmi, Dritan Rexhepi e kreu për hakmarrje pasi efektivi kishte goditur një nga miqtë e tij i cili kishte xhiruar gomat e makinës para komisariatit të policisë.

Me ezaurimin e të gjitha shkallëve të drejtësisë, Shqipëria ka një tjetër bonus në kërkesën drejtuar Turqisë për ekstradimin e Dritan Rexhepit. Ky i fundit u arrestua në gjysmën e parë të nëntorit të vitit të kaluar në Stamboll, ndërsa për ekstradimin e tij është e interesuar edhe Italia, që e ka dënuar me 20 vite burg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA