Edicioni i pestë i Festivalit të Zogjve në kafaz u organizua për herë të parë në Durrës nga Federata Shqiptare e Ornitologëve dhe Bashkia e Durrësit, duke zgjuar interesin e grupmoshave të ndryshme dhe veçanërisht fëmijëve.
“Risia e festivalit në Durrës është edukimi i brezave që vijnë, jo vetëm i sportdashësve të tij, rritësve, por edhe brezat e rinj edukohen me mbajtjen, rritjen dhe shumimin e zogjve të kafazit, që do të thotë të kujdesemi për to. Mendojmë që është me vlerë për fëmijët se ata që rrisin një zog, nesër do e kenë të vështirë ta vrasin atë në natyrë”, u shpreh Eduard Cara nga FSHO.
Afro 1000 zogj dekorativë të llojeve të ndryshme u ekspozuan këtë fundjavë në pallatin e sportit “Ramazan Njala” nga 110 mbarështues të ardhur nga Shqipëria, Italia, Greqia, Mali i Zi dhe Kosova. Ata konkurruan mes tyre në këtë sport kaq të veçantë të zogjve të kafazit, ndërsa vlerësimet më të shumta i mori vendi fqinj, Italia, mbarështuesit e së cilës janë të njohur në mbarë botën.
“Shqipëria aderon në Komitetin Olympic Botëror dhe ka një standard për gjykimin dhe rritjen e zogjve, nuk janë të kryqëzuara, por janë të pastra dhe bukuria e tij i përket pastërtisë së racës”, tha Eduard Cara.
Për specialistët e sportit të zogjve në kafaz problem në vendin tonë mbetet kapja e zogjve në natyrë për qëllime tregtie dhe eksporti i tyre në kushte aspak të përshtatshme drejt vendeve fqinje.
“Kam dhe një mesazh kundër zënies së zogjve në natyrë, që është një plagë jo e vogël në shoqërinë shqiptare. Ka një ligj që është shumë i ashpër deri në izolimin në burg të personave që merren me tregtinë e paligjshme dhe kapjen e tyre në natyrë. Atje 100 metra më tutje ka persona që shesin në tregun e zi dhe zogj të sapokapur dhe policia e organet kompetente kalojnë pa ngritur as gishtin. Të gjithë zogjtë këtu janë zogj të unazuar, kanë siglën e shtetit nga vijnë dhe të personit që i rrit. Pa një të tillë nuk mund të ketë një sport edukativ. Këta janë zogj të kafazit, në natyrë nuk ekzistojnë. Ne i japim jetën”.
Top Channel