U zhvillua sot në Tiranë në sheshin “Nënë Tereza”, protesta “Bashkë kundër Bullizmit” nxitur nga vetëvrasja e Bedrie Lokës nga Sukthi i Durrësit.
Sot nuk vret vetëm arma, por edhe presioni psikologjik, që ushtron shoqëria, apo familja. I tillë ishte rasti i Bedries, që e ndodhur nën trysninë denigruese dhe poshtëruese, si nga Tik Tok-u edhe nga familja ndërmori aktin ekstrem, vetëvrasjen.
“Të gjithë ne e kemi provuar bullizmin. Ai fillon që nga fjalët që të ofendojnë për shkak të pamjes, dhe fizikut e deri ato që të trazojnë dhe rëndojnë psikologjikisht”, shprehen protestuesit.
Policia nuk reagoi ndaj rastit megjithëse bullizmi u denoncua dhe sot kemi lajmërimin e vdekjes së një nëne të dëshpëruar.
“Bullizmi po përhapet si metastazat e kancerit, ndaj duhet të bëhemi bashkë, shoqëria, media, policia, prokuroria, që t’i mbyllim kanalet këtij fenomeni, që po helmon. Duhet të ndërgjegjësojmë njerëzit që nga kopshti, shkolla, universiteti, vendi punës, familja, për të frenuar dhunën, që po prek gratë dhe fëmijët veçanërisht. Armës, helmit, litarit etj., i është shtuar sot edhe bullizmi virtual që po shkakton viktima”, thotë sociologu Gëzim Tushi.
Top Channel