Ekspertët: Ushtrimet fizike në TikTok mund të jenë të rrezikshme dhe jo efektive

06/01/2024 13:43

Sot shumë njerëz po i drejtohen mediave sociale për rutinat e tyre të fitnesit me TikTok e cila është një nga platformat më të njohura në mbarë botën.

Në të vërtetë, kategoria e tij e fitnesit e quajtur “FitTok” ka rreth 300 miliardë shikime. Por a janë stërvitjet, ushtrimet dhe sfidat e postuara vërtet të sigurta dhe efektive?

Studimet e fundit tregojnë se duhet patur shumë kujdes. Gati dy të tretat e llogarive kryesore të “fitspiration” në Instagram nuk përmbanin informacion të besueshëm, sipas një studimi të vitt 2023 të publikuar në “BMC Public Health”.

Gjithashtu një analizë e 1000 postimeve të TikTok në lidhje me ushqyerjen dhe humbjen e peshës, e botuar në revistën “PLOS One”, kishte përmbajtje normative për peshën, siç është glorifikimi i humbjes së peshës.

Dhe ndërsa ndikuesit e fitnesit mund t’i inkurajojnë njerëzit të bëhen më aktivë fizikisht, gjë që është pozitive, cilësia dhe saktësia e përmbajtjes së tyre është një shqetësim.

Jess Brown, një trajner fitnesi i çertifikuar dhe njëkohësisht themelues i “The Glute Recruit” në Nju Jork pohon se “Ka shumë stërvitje të paqëndrueshme dhe joreale në TikTok, madje edhe disa këshilla të rrezikshme”.

Për më tepër, shumë nga informacionet e fitnesit në TikTok nuk mbështeten nga shkenca ose nuk postohen nga profesionistë të fitnesit, tha Monica Jones, trajnere personale në Uashington.

“Stërvitjet zakonisht përgjithësohen për këdo, gjithashtu, nuk marrin parasysh shëndetin tuaj, historinë tuaj familjare, fleksibilitetin dhe gamën tuaj të lëvizjes” tha Jones.

Fatkeqësisht, disa nga videot më të njohura të TikTok janë ndër më problematiket. Këto përfshijnë një sërë sfidash që premtojnë se do të humbni një peshë të caktuar ose do të zhvilloni një fizik të veçantë brenda disa ditësh ose javësh.

“Dry scooping” ishte një trend i fundit i fitnesit të TikTok që tani duket se është i bllokuar nga faqja e internetit. Teoria thoshte se para stërvitjes suaj duhet të hidhni një lugë pluhur proteine në gojë në vend që ta përzieni atë me ujë dhe ta pini, siç udhëzohet. Kjo praktikë supozohet se e ngarkon stërvitjen sepse trupi juaj thith kafeinën e pluhurit dhe stimuluesit e tjerë më shpejt.

Por ekspertët thonë se kjo është e rrezikshme dhe ndoshta edhe vdekjeprurëse pasi mund të çojë në shqetësime të frymëmarrjes ose ato kardiovaskulare.

“Kjo praktikë është pjesë e kulturës së kënaqësisë së menjëhershme,” tha Jones. Dhe nëse doni një stërvitje të shkëlqyer, në fakt do të funksionojë kundër jush, sepse çdo pluhur i thatë që kalon nëpër mushkëri do të shkaktojë inflamacion, pëfundoi ai.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA