NGA DORJANA BEZAT
Dy fjalë për ngjarjen në Sukth! Bedrien nuk e vrau Tik-Tok-u, por vetmia. Ajo mbeti vetëm përballë fjalëve nga gojmëdha kur burri iku në emigracion për të përfunduar ndërtimin e shtëpisë. Në sytë e tyre ajo ishte fajtore se postonte një foto në internet, se kishte një bukuri mbi mesataren, se ishte ajo që ishte.
Por këto nuk e mposhtën 41-vjeçaren. Për profilet false të hapura me emrin dhe fotot e saj ajo denoncoi në polici. Masa u morën edhe në vendin e punës ku gojëmëdhatë u pushuan.
Por, a shuhet helmi i hedhur ndaj një gruaje?!
Për Bedrien e shumë të tjera si ajo vreri derdhet pareshtur. Ai përhapet gojë më gojë duke u shoqëruar me nënqeshje përbuzëse. Nga goja në gojë perversiteti sa vjen e shtohet dhe krijojnë një imazh që nuk i ngjan aspak personit për të cilin thuhen. Këto fjalë shkojnë në vesh të fëmijëve që ulin kokën për nënën e tyre. Shkojnë në vesh të burrit që marroset se çka ndodhur në muajt kur ai nuk ishte në shtëpi dhe gruas Iivishet një njollë që ajo e lau me jetën e saj.
Unë nuk di detaje se çka ndierë apo menduar atë 2 janar ajo që piu helmin e hedhur për gati një vit kundër saj.
Por di t’u them shumë mirë se çfarë shije ka! Jam e bindur si unë dhe qindra vajza dhe gra. Nuk ka rëndësi se sa e zonja je, se sa ti sakrifikon për formimin tënd, familjen, punën. Nuk ka rëndësi se sa dinjitet ti tregon në të gjithë këtë rrugëtim. Kudo dhe gjithmonë është një gojë e madhe që do thotë se ato nuk i arrite vetë por me skenarë që vetëm një tru i sëmurë I prodhon. Këto skenarë ndonjëherë krijohen nga njerëz që ecin në një hap me ty ose nga trima mbrapa tastierës që sipas tyre çdo vajzë ësht K*rvë. Herën e parë kur më kanë thirrur kështu kam qënë 16 vjeç. Atë ditë qava fshehur në dhomën time. Sa me tepër rritesha në moshë e profesion ajo fjalë ishte aty thënë nga profile anonime. Herën e fundit kur më është shkruar ajo fjalë nuk e mbaj mend kur ka qenë sepse veshët e mi nuk e dëgjojnë më kur thuhet apo shkruhet ajo fjalë.
Por, Bedria e dëgjonte. Ajo vuante. Ajo ishte vetëm sepse askush nuk i tha: “Unë të njoh, nuk je ti ajo që thonë”.
Pusho në paqe grua e bukur! Nuk duhet të kishe ikur. Si nuk e kuptove sa e mirë ishe!
Top Channel