Trupi i pajetë i Arben Lleshit, të dënuarit me burgim të përjetshëm që u ekzekutua në qelinë e tij në burgun e sigurisë së lartë Peqin, më 15 dhjetorit 2023, nga Sokol Mjacaj, po mbahet në morgun e Tiranës.
Familjarët e Lleshit nuk janë paraqitur pranë institucioneve për të tërhequr trupin, sipas procedurave përkatëse. Mësohet se familja e tij nuk e ka tërhequr trupin, për shkak se fisi me të cilin është në hasmëri mund të vijojë hakmarrjen.
Arben Lleshi vuante dënimin për vrasjen e një bashkatdhetari në Angli. Në 10 prill 2012, ekzekutoi Agim Hoxhën në një apartament në qytetin anglez të Southempton dhe më pas, trupin e tij e dogji në një makinë tip “Mercedes Benz”.
Shkak i këtij ekzekutimi, besohet se erdhi si pasojë e një konflikti. Mjaçaj ka deklaruar se me Lleshin kishte konflikt pasi ky i fundit nuk e kishte pranuar në sektor, por sipas prokurorisë është thjesht alibi dhe pista kryesore mbetet vrasja me pagesë.
Nëse familja vendos të mos e tërheqë trupin brenda 60 ditëve, Instituti i Mjekësisë ligjore kërkon autorizim nga prokuroria e Elbasanit dhe varrimi kryhet nga bashkia, sipas procedurave ligjore.
Top Channel