Mandati i kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdarit, do të rishqyrtohet, pasi Kolegji i Ankimimeve dhe Sanksioneve pranoi këtë të premte ankimin e Lefter Maliqit.
“KQZ të shqyrtojë sërish dhënien e mandatit të kryetarit të Bashkisë së Kuçovës. Shfuqizohet vendimi i Celibashit për verifikimin e thelluar të Kreshnik Hajdarit”, thuhet në vendimin e KAS.
Pasi KQZ nuk i hoqi mandatin, Lefter Maliqi, rivali i Hajdarit në zgjedhjet lokale të 14 majit, dorëzoi një tjetër kallëzim në SPAK në muajin nëntor.
Ndërkohë, në muajin dhjetor, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dërgoi për gjykim kryetarin e bashkisë Kuçovë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Ai ka fshehur një dënim nga Gjykata e Janinës. Në 23 qershor të vitit 1999, është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje. Atëherë, Kreshnik Hajdari ishte 17 vjeç dhe si i mitur iu vendos masa e riedukimit.
Top Channel