Fieri, në fokus të planeve për turizmin dhe infrastrukturën, Balla: Bashkisë do t’i shtohen 11 automjete zjarrfikëse

05/01/2024 13:24

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, po ashtu drejtuesi politik i PS për Qarkun Fier, ka zbuluar fokusin e planit të zhvillimit të këtij viti për qarkun e Fierit.

Ky vit, sipas Ballës, do të jetë një vit që synon investime tepër të rëndësishme për këtë qark që synojnë zhvillimin në bujqësi e agro-turizëm. Duke marrë parasysh resurset e këtij qarku në bujqësi e turizëm parashikohet që investimet të rrisin më tej kapacitetet për të përmirësuar nivelin e standardeve.

“Kemi bërë një takim që lidhet me punën e secilëve prej bashkive, e para me projektet e rëndësishme që priten të zbatohen me buxhetet e miratuara për secilën bashki. Qarku i Fierit mbetet në vëmendjen kryesore të qeverisë, me investime për sa i përket infrastrukturës, në bujqësi që lidhet me investime në kanalet vaditëse apo ato të kullimit. Kemi diskutuar për disa projekte për digat, që mbeten një problematikë që ka nevojë për investime”, tha Balla.

“Projekte të tjera lidhen me turizmin. Qarku i Fierit ka një vijë bregdetare mahnitëse por ende nuk e ka marrë vlerën ekonomike. Kemi diskutuar për projekte që të përmirësojmë me infrastrukturën, në aksesin në bregdet. Edhe për projekte të tjera që lidhen me investime që lidhen po ashtu me turizmin, por edhe me investime që lidhen me agroturzmin. Qarku i Fierit disponon resurse të rëndësishme që lidhen me qytetet antike, kemi Apolloninë, Bylisin, që është investuar nga qeveria në vitet e fundit. Investime edhe në infrastrukturën në arsim, sa i përket kopshteve, çerdhve në gjashtë bashkitë e qarkut”, shtoi ministri.

Gjate prononcimit të tij për mediat, Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vlerësuar edhe vigjilencën e strukturave të burgut të Fierit, në parandalimin e arratisjes së 4 personave të dënuar, përfshirë Dan Hutrën.

“Duhet vlerësuar dhe përshëndetur puna e Drejtorisë së Burgjeve, që i doli para një tentative. Kjo nuk është diçka që nuk ndodh, përpjekje të tilla ndodhin shpesh por u kap në kohë dhe kjo tregon që është vepruar në kohë dhe është parandaluar një ngjarje e rëndë”, tha Balla.

Nisur nga zjarri shkatërrues i rënë pak ditë më parë në qytetin e Lushnjës ku u shënuan dëme të shumta materiale dhe ku u rrezikuan jetë njerëzish, Balla në një prononcim për mediat, tha se ka nisur tashme një inspektim për masat kundër zjarrit, në të gjitha mjediset me frekuentim të lartë si edhe në pallate dhe banesa.

“Dy ditë më parë kam udhëzuar fillimin e një inspektimi në nivel kombëtar, të respektimit të rregullave të mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit, inspektimi në gjithë godinat, me fluks dhe intesitet të madh. Mësimet nga ajo qendër tregtare na vlen për të parë se si respektohet rregullat në këto ndërtesa por jo vetëm”, deklaroi Taulant Balla.

Ndërkohë, sipas Ballës, 11 automjete do t’i shtohen këtë vit flotës së automjeteve zjarrfikëse, ku me dy mjete të reja bashkëkohore, do jepen një për Bashkinë Fier dhe një për Bashkinë Lushnjë.

“Falë bashkëpunimit me partnerët tanë, Bashkia Fier është përfituese e një projekti të rëndësishëm nga qeveria polake për të forcuar kapacitetet të mbrojtjes kundër zjarrit, jo vetëm me një makinë zjarrfikëse e cilësisë së lartë, por edhe me konteiner po ashtu edhe nga emergjenca civile, do t’i bashkohet edhe bashkisë së Lushnës një makinë tjetër, me kapacitetet më të mira që të shtojmë flotën e makinave zjarrfikëse. Shpresojmë të shtojmë vetëm nga bashkëpunimi me partenerët, rreth 11 makina zjarrfikëse, që të fillojnë përgatitjet për verën e këtij viti, edhe për shkak të zjarreve masive që ka pasur vjet”, tha ai.

Këto deklarata ministri Balla i bëri nga qyteti Fierit ku pati një takim me drejtuesit e bashkive të këtij Qarku në lidhje me prioritetet e investimeve të këtij viti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA