Dan Hutra, i akuzuar për vrasjen e 3 grave dhe plagosjen 3 të tjerave në Tiranë, ka tentuar arratinë nga burgu i Fierit paraditen e sotme por është kapur në flagrancë.
Plani kriminal për arratisjen nga burgu ishte i koordinuar dhe në bashkëpunim me tre të paraburgosur të tjerë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se në dhomën ku ishin të akomoduar, të paraburgosurit kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete te improvizuara.
Gjatë kontrollit nga punonjësit e sigurisë, u konstatua se edhe në dhomën nr. 15, ku ishte i akomoduar i burgosuri me potencial të lartë rrezikshmërie, Dan Hutra, ishin fshehur mjete për arratisje, konkretisht: një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara.
Të përfshirë në këtë ngjarje janë edhe Martin Kapllani, lindur dhe banues në Vlorë, të cilit i është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Vjedhja”.
Geraldo Veizaj, 23-vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”, po për “Vjedhje”.
Si dhe Feti Kovaçi, 27-vjeç, lindur dhe banues ne Vlorë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, po për vjedhje.
Stafi i sigurisë ka kryer kontrolle të hollësishme të elementëve të sigurisë, në të gjithë burgun. Të dhënat paraprake tregojnë për bashkëpunim ndërmjet të katër të burgosurve, për thyerje të sigurisë dhe tentativë arratisje. Prokuroria është duke kryer hetime për ngjarjen.
Por kush është vrasësi serial i grave Dan Hutra?!
Dan Hutra është autori i vrasjes së 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjerave në Paskuqan dhe Kodër Kamëz. 40-vjeçari aktualisht ndodhet në pritje të gjykimit për masakrën e 1 marsit 2023 ku brenda pak orëve ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri Mevlute Hysën 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Menjëherë pas krimit në Kodër Kamëz, autori lëvizi në rrugën “Besëlidhja”, Bathore ku u ndal te banesa e familjes Kurti, duke vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe. Në vitin 2007, Dan Hutra ishte dënuar pasi ka vrarë me armë ish-gruan Dafina Havalja, të cilën e goditi dy herë me thikë në zemër e mëlçi.
Top Channel