Veliaj nis vitin e ri me vullnetarët e rinj, mbjellin 52 pemë te Parku i Liqenit: Nuk e kemi luksin të mbjellim përçarje

03/01/2024 14:18

Të rinj vullnetarë i janë bashkuar këtë fillimvit Bashkisë së Tiranës, në nismën e saj për shtimin e gjelbërimit.

Bashkë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të rinjtë dhe të rejat mbollën 52 pemë të reja në Parkun e Liqenit Artificial, që përkon dhe me 52 javët e vitit.

Kryebashkiaku nënvizoi se e mira vjen gjithmonë me më shumë përpjekje.

“Fillojmë sot një vit të ri fantastik për Tiranën, duke qenë shumë të ndërgjegjshëm që viti që kaluam ishte në fakt viti ynë më i mirë. Por, unë besoj se e mira vjen gjithmonë me më shumë përpjekje, me më shumë idealizëm, me më shumë progres, dhe vjen gjithmonë përpara. Duke mbajtur kokën mbrapa nuk fitojmë asgjë, por duke parë çfarë potencialesh kemi, ne mund të kemi ditë edhe më të mira. Ne e kemi vetë në dorë ta prishim këtë qytet, siç e kemi vetë në dorë ta bëjmë e ta lulëzojmë këtë qytet. Sot jam shumë mirënjohës për vullnetarët tanë. Uroj ta marrin të gjithë seriozisht, të dalin të merren me vrap, me aktivitete sportive. E shikoj që një pjesë e madhe e qytetarëve kanë filluar tashmë me aktivitetet e tyre pas pushimeve, por mbi të gjitha për t’i dhënë Tiranës më shumë oksigjen. Kemi mbjellë sot 52 pemë për 52 javët që do të vijnë sepse duam që çdo javë të karakterizohet nga kjo ndjesi pozitive”, deklaroi Veliaj.

Pas mbjelljes së një milion pemëve, Bashkia e Tiranës do të vijojë me fushatën e saj për shtimin e gjelbërimit edhe këtë vit. Veliaj tha se Tirana nuk ka kohë për të humbur me inate dhe përçarje, ndërkohë që po përgatitet për të marrë Presidencën e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit, e njohur ndryshe si B40.

“Mezi pres që të organizohemi edhe këtë vit, për një megafushatë të mbjelljeve. Shpresoj shumë që edhe simbolika e mbjelljes, ku mbjellim më shumë oksigjen sesa sherr, mbjellim më shumë gjelbërim sesa inate edhe mllef, duhet të jetë në fakt metafora e këtij qyteti. Kur ne mbjellim dashuri dhe bashkëpunim, gjërat ecin përpara. Kur ne mbjellim këto ‘cic micet’ e vogla, dhe inatet e përçarjes, sigurisht që ora shkon mbrapa. Ne nuk e kemi luksin të shkojmë mbrapa me orën e Tiranës. Ndaj, edhe këtë vit që ne marrim Presidencën e B40, ku në fakt janë të gjithë bashkitë e Ballkanit që do të vijnë në Tiranë për mësuar edhe për të parë sesi kanë ecur gjërat përpara, sesi ne punojmë jo vetëm me stafet tona, por punojmë shumë me vullnetarët, besoj që do të jetë një kartolinë për të gjithë Shqipërinë”, theksoi ai.

Veliaj u shpreh se Tirana është e përgatitur që të presë edhe më shumë turistë këtë vit krahasuar me 2023, që kishte një numër rekord vizitorësh.

“Edhe nëse ky vit që iku kishte numrin më të madh të turistëve, besoj që ky vit që sapo erdhi do të ketë akoma më shumë turistë. Që të përgatitemi do të duhet që çdo cep i Tiranës të duket gjithmonë e më shumë si Europa në Ballkan, dhe Tirana sigurisht si xhevahiri i kësaj Europe”, nënvizoi Veliaj.

Duke u ndalur te mbjelljet, Kryetari i Bashkisë ftoi edhe bizneset apo individët që t’i bashkohen kësaj fushate të re mbjelljesh.

“Do të fillojmë një fushatë për të ftuar të gjitha kompanitë, bizneset, ambasadat, shoqatat, grupet e ndryshme, organizime vullnetare, shkolla, kopshte, çerdhe, institucione, që të shfrytëzojmë këtë stinën e mbjelljes deri në prill, edhe të sigurohemi që Tiranës i lëmë 100 mijë pemë të tjera. Do të vazhdojmë një tjetër iniciativë të bukur, që është iniciativa e fëmijëve që mbjellin pemë për ditëlindje”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA