Që nga një janari të gjitha automjetet me targat e Republikës së Kosovës po qarkullojnë pa mbuluar simbolet shtetërore me afishe në territorin e Serbisë.

Qytetarët thonë se sado pak është lehtësuar qarkullimi i tyre.

“Tash vijnë e rregullohen gjërat, presim që të bëhet mirë”.

“Na e lehtëson qarkullimin. Duhet edhe këtej të largohen”.- shprehen qytetarët.

Përkundër njohjes së targave nga ana e Serbisë, në pjesën serbe të kufirit është e vendosur deklarata që sqaron se ky vendim nuk do të thotë njohje e Kosovës.

Ndryshe nga Serbia, Kosova ende zbaton vendimin që detyron përdorimin e afisheve në automjetet me targa të Serbisë.

Qytetarët qe kaluan përmes pikës kufitare në Mërdarë të martën thanë se edhe Kosova duhet të heqë përdorimin e stikerave.

“Atje i kanë larguar, këtu kur vjen duhet t’i ngjisësh”.

“Duhet të hiqen. Duhet të jetë njëjtë, si shqiptarët si serbët”

Gjatë së hënës, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka ngritur një alarm ku thotë se serbëve që kanë automjete me targa të Kosovës u kërkohet të vendosin shenja dalluese. Avdyli thotë se kjo po bëhet me qëllim sulmin e automjeteve me targa RKS.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka deklaruar se vendimin për largimin e përdorimit të afisheve do ta marrë pasi të vlerësojë zbatimin e vendimit nga ana e Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA