Izrael/ Gjykata rrëzon ligjin e Netanyahut, nxiti qindra mijëra izraelitë të protestonin

02/01/2024 21:16

Gjykata më e lartë e Izraelit ka rrëzuar një pjesë kyçe të reformës gjyqësore për të cilën insistoi qeveria e Benjamin Netanyahut dhe që nxiti qindra mijëra izraelitë të protestonin shpesh vitin e kaluar.

Gjykata e mori vendimin me një shumicë të ngushtë, sepse vetëm tetë nga pesëmbëdhjetë gjyqtarë ishin pro këtij vendimi.

Me ndryshimin e ligjit, Netanyahu donte t’i hiqte gjykatës mundësinë për të reaguar ndaj vendimeve “të papërshtatshme” të qeverisë, kryeministrit apo ministrave.

Opozita izraelite e pa atë si një sulm ndaj gjyqësorit të pavarur. Po ashtu shihet edhe si një mundësi që qeveria t’i hapte derën korrupsionit që askush nuk mund ta ndiqte penalisht.

Kabineti i Netanyahut, nga ana tjetër, argumentoi se gjyqësori në Izrael ka kompetenca shumë të gjera në krahasim me degën ekzekutive dhe se duhet të vendoset një ekuilibër.

Shoqëria e përçarë

Në vendimin me të cilin gjykata e anuloi këtë dispozitë, thuhej se kjo lloj reforme në drejtësi do të shkaktonte “dëm të rëndë dhe të pakrahasueshëm në parimet kyçe të Izraelit si shtet demokratik”.

Përpjekja e Netanyahut për të dobësuar gjyqësorin vitin e kaluar nxori qindra mijëra njerëz në rrugë, që u konsiderua edhe si një prej protestave më të mëdha në historinë e Izraelit, e ndoshta edhe më e madhja. Pati përplasje me policinë, sulme, përpjekje për ndërmjetësim nga SHBA-të, por ato dështuan.

Një sondazh i fundit tregon se edhe shoqëria izraelite është e përçarë për këtë çështje – 46 për qind e qytetarëve në sondazhe e kundërshtuan reformën, vetëm 35 për qind ishin në anën e Netanyahut, ndërsa pjesa tjetër ishin të pavendosur.

Ligji i diskutueshëm, i miratuar verën e kaluar, supozohej të ishte i pari në një seri për të reformuar gjyqësorin. Këto përpjekje u ndërprenë nga sulmet terroriste të Hamasitnë fillim të tetorit, kur 1200 izraelitë u vranë dhe 240 prej tyre përfunduan si pengje në Rripin e Gazës.

Që atëherë, Izraeli ka bërë luftë kundër Hamasit, të cilin BE, Gjermania, SHBA dhe vende të tjera e konsiderojnë një organizatë terroriste.

Në bombardimet e Gazës dhe gjatë ndërhyrjes tokësore të ushtrisë izraelite, deri më tani janë vrarë rreth 22 mijë vetë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga Hamasi.

A do ta pranojë Netanyahu vendimin?

Pyetja është se si do ta pranojë vendimin e gjykatës Netanyahu, i cili është në krye të qeverisë për të pesëmbëdhjetin vit radhazi. Nëse ai refuzon, Izraeli kërcënohet nga një krizë e re shtetërore.

Likud, partia e djathtë e kryeministrit, ka thënë tashmë se vendimi i gjykatës bie ndesh me “vullnetin e popullit” për unitet në kohën e luftës. Partia ankohet, se gjykata e shpalli vendimin në një kohë kur “ushtarët izraelitë nga e djathta dhe e majta po luftojnë dhe rrezikojnë jetën e tyre”.

Ministri i Drejtësisë Yariv Levin reagoi me tone të ngjashme. “Vendimi, i paprecedent në një demokraci perëndimore, nuk do të na dekurajojë. Ndërsa lufta vazhdon në fronte të ndryshme, ne do të vazhdojmë të veprojmë me përmbajtje dhe përgjegjësi”.

Nga ana tjetër, Lëvizja për qeverisje cilësore, e cila kishte paraqitur tetë ankesa kundër ligjit në gjykatën më të lartë, deklaroi se ishte një vendim historik. “Kjo është një fitore e madhe publike për ata që luftojnë për demokraci,” tha lëvizja.

Lideri i opozitës Jair Lapid e përshëndeti gjithashtu vendimin e gjykatës. “Nëse qeveria izraelite fillon të debatojë përsëri për Gjykatën e Lartë, kjo do të thotë se nuk ka mësuar asgjë.”

Vendimi është një goditje e re për Netanyahun. Sipas sondazheve, popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm që nga sulmet e Hamasit. Shumë e fajësojnë atë për mospranimin e përgjegjësisë personale për papërgatitjen e Izraelit për sulmet e kryera deri më tani./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA