S`ka festë për Gazën, rritet bilanci i vdekjeve, Netanyahu: Lufta do të zgjasë me muaj

31/12/2023 12:28

Lufta kundër Hamasit është në “pikën e saj më të lartë dhe do të vazhdojë për muaj të tërë”, deklaroi kryeministri izraelit Beniamin Netanyahu.

Teksa ai bënte parashikimin e zymtë, bombat në Gaza vazhdonin, pavarësisht afrimit të ndërrimit të viteve, që kremtohet në të gjithë pjesën tjetër të botës.

“Beteja është në kulmin e saj dhe po luftojmë në të gjitha frontet. Arritja e fitores do të kërkojë kohë. Qëllimi është shkatërrimi i Hamasit në Gaza, çmilitarizimi dhe zhdukja e radikalizmit në mënyrë që të parandalohet çdo përsëritje e vrasjeve dhe rrëmbimeve të 7 tetorit”, u shpreh Netanyahu.

Komentet e Netanyahut erdhën pasi numri i të vdekurve në enklavë u rrit duke shënuar gati 21,700. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza të drejtuar nga Hamasi, të paktën 165 vetë u vranë vetëm gjatë ditës së djeshme ndërsa të plagosurit janë mbi 250. Të njëjtat burime pohojnë se gati  70% e viktimave të luftës janë fëmijë dhe gra.

CNN thotë se nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë në mënyrë të pavarur shifrat e dhëna nga ministria e Gazës, për shkak të aksesit të kufizuar në rajon dhe vështirësisë në verifikimin e numrave të saktë mes konfliktit të vazhdueshëm. Kombet e Bashkuara sakaq kanë dhënë alarmin për dendësinë në rritje të njerëzve të zhvendosur brenda territorit, teksa  ushtria izraelite zgjeron operacionet në më shumë pjesë të Gazës qendrore dhe jugore. Deri më tani besohet se pjesa derrmuese 2.3 milionë banorëve te Gazës janë detyruar të zhvendosen nga shtepite e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA