“Tuneli i Murrizit dhe i Llogorasë hapen vitin tjetër”, Rama: 10.5 milionë euro në arkën e shtetit nga ndërtuesit që kanë shkelur lejen e ndërtimit. Do e paguajnë sa frëngu pulën

30/12/2023 12:43

Teksa dha lajmin që tuneli i Murrizit dhe i LLogarasë do të hapen vitin e ardhshëm, kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së fundvitit deklaroi se ky vit ka pasur një intensitet të lartë pune.

Ndër të tjera ia u ndal edhe tek aksioni për të konstatuar ndërtimet pa leje, të cilat kanë sjellë përfitime financiare në arkën e shtetit.

Rama bëri thirrje se subjektet të cilat kanë bërë ndërtime pa leje do t’i paguajnë të gjitha.

“Subjektet po paguajnë dhe do paguajnë deri në fund si frëngu pulën çdo metër katror që kanë bërë pa leje”, theksoi kryeministri.

“Dua të mbyll këtë pasqyrë pa bërë inventarin e kantiereve të mëdha të punëve publike sepse i keni ndjekur, i keni para syve dhe viti që po mbyllim ka qenë viti me intensitetin më të madh të punës në kantierë të mëdha të infrastrukturës, të rrugëve kombëtare, janë një sërë aksesh të reja ndërkohë që janë vënë, më në fund, në vijë edhe punët në tunelin e Murrizit, i cili, së bashku me tunelin e Llogarasë, do të hapen vitin e ardhshëm, ndërkohë që janë duke u finalizuar edhe kontratat për të filluar punën me segmente të tjera të Korridorit Blu, që është edhe vepra më madhore e infrastrukturës, ashtu sikundër kemi marrë edhe përgjigjen pozitive për segmentin hekurudhor Durrës- Han i Hotit, si edhe presim përgjigje pozitive për një tjetër pjesë të segmentit hekurudhor Durrës- Pogradec, që është pjesë e Korridorit të Tetë, ku ndërkohë po zhvillohen intensivisht punimet për korridorin rrugor.

Përsa i përket dy pikave që thashë, e para, jemi shumë të lumtur, kjo është fjala, të lumtur, me programin e sportit në shkolla, ka qenë një sukses i shumëpritur. Kemi mbi 10 mijë fëmijë që janë angazhuar falë lidershipit dhe punës së shkëlqyer organizative të Komitetit Olimpik Shqiptar në lëvizjen sportive me skuadrat e volejbollit, basketbollit në djem dhe vajza dhe jemi përgatitur me Komitetin Olimpik Shqiptar për të zgjeruar aktivitetin sportiv në shkolla edhe me disiplina të tjera, ndërkohë që është rritur zinxhiri i skuadrave të moshave, duke ulur dyshemenë deri tek fëmijët e moshës 6-8 vjeç.

Kjo është e jashtëzakonshme për të sotmen dhe për të ardhmen dhe është një burim i sigurt shëndeti, një burim i sigurt edukimi, por edhe një burim i sigurt i rritjes së cilësisë edhe të sporteve profesioniste, të skuadrave profesioniste kur gjithë kjo bazë fëmijësh do fillojë të ngjitet në moshat e mësipërme. Unë kam marrë një përgëzim shumë të mirëpritur nga Komiteti Olimpik Botëror, nga Komiteti Olimpik Europian dhe ajo çka është qershia mbi tortë e këtij programi që tanimë është në rrugë të mbarë dhe vitin e ardhshëm hyn në edicionin e dytë është se Shqipëria do të mikpresë vitin e ardhshëm Festivalin e Parë të Sportit për nxënësit e shkollave për Europën Juglindore, një nisëm e presidentit të Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, e mbështetur me dy duar nga qeveria shqiptare dhe besoj që verën e ardhshme do kemi një aktivitet të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, me një numër mbresëlënës të rinjsh nga i gjithë rajoni ynë.

Tjetra, e fundit, e sjell këtu në vëmendje sepse nuk ka rënë rasti për të folur për këtë, por sot, duke parë të gjitha të dhënat dhe duke përgatitur këtë konferencë, pashë ecurinë e procesit të konfiskimeve të pallateve, të shtesave të paligjshme të pallateve, për të cilat u bë një zhurmë e shoqëruar edhe me shumë hamendësime dhe me shumë shpifje dhe më vjen mirë t’ju them se ka filluar arkëtimi i parave në arkën e shtetit nga procesi i ndëshkimit të ndërtuesve që kanë kapërcyer  kufijtë e lejeve të ndërtimit. Janë arkëtuar 3,5 milionë euro deri tani nga 5 objekte dhe janë 4 objekte të tjera që pritet të vazhdojnë pagesat dhe presim vetëm nga 9 objektet e para 10,5 milionë euro në arkën e shtetit. Pra, për çdo metër katror të bërë pa leje, aty ku është konsideruar parablerja nga subjektet, subjektet po paguajnë dhe do paguajnë deri në fund si frëngu pulën çdo metër katror që kanë bërë pa leje.

Ndërkohë që janë 15 objekte të tjera të konfiskuara që janë në proces, nuk kanë shprehur interes për procesin e parablerjes kështu që do të vazhdohet me masat e tjera që parashikon ligji për konfiskimin, si dhe më vjen shumë mirë të them që falë këtij veprimi agresiv ekstrem, të cilit i kishte ardhur koha për t’i dhënë fund këtyre historive, shikojmë një disiplinim jashtëzakonisht të mirëpritur të punimeve të ndërtimit dhe institucionet përkatëse nuk konstatojnë shkelje të kësaj natyre, por të gjithë duhet ta kenë të qartë që kush bën një metër katror shtesë, do të paguajë si frëngu pulën dhe do i dalë nga hundët çdo përpjekje për të përfituar atë që si takon”, u shpreh Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA