Berisha në arrest shtëpie, Rama reagon për herë të parë: S’është fitore arrestimi i dikujt, drejtësi do të ketë kur të gjykohet …

30/12/2023 13:04

Teksa kryeministri Edi Rama mbante konferencën përpara gazetarëve GJKKO-ja vendosi të merrte masën arrest në shtëpi për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ai u shpreh se nuk është fitore arrestimi i dikujt dhe se absolutisht nuk e sheh në asnjë formë si fitoren e Partisë Socialiste.

Ndër të tjera Rama rikthehu sërish ngjarjen e 21 janarit për të cilën tha se nuk do të ketë drejtësi pa u vendosur përpara gjykimit autorët, kryesisht porositësit.

“Kurrë nuk është fitore e një partie arrestimi i dikujt të cilësdo parti. Kurrë. Kjo është në parim. Partitë fitojnë zgjedhje për të çuar përpara vendin dhe partitë nuk janë organizata luftarake që funksionojnë për të eliminuar kundërshtarët, në një mënyrë apo tjetër.

Kështu që, nuk e shoh absolutisht këtë në asnjë formë si një fitore të Partisë Socialiste apo edhe si një fitore të Erioni apo Taulantit që kanë bërë me këmbëngulje themi me një pasion që uroj ta kishin të gjithë detyrën e tyre, ashtu siç e kanë parë ata të arsyeshme. Kjo është diçka që nuk ka lidhje fare me dëshirën, objektivin, nevojën për të parë si fitore faktin që cilido qoftë vihet nën trysninë dhe pastaj në masat e drejtësisë, kështu që nuk ka lidhje kjo.

Ashtu sikundër këtë nuk rri dot pa e thënë. Nuk do ketë drejtësi në Shqipëri deri kur të gjykohet 21 janari. Këtë di të them unë. Pa u gjykuar 21 janari dhe pa u vënë para drejtësisë vrasësit dhe urdhëruesit e tyre, që janë në fakt vrasësit e vërtetë të 21 janarit, drejtësia do jetë e gjymtuar moralisht dhe patjetër do të jetë dhe e pamjaftueshme për sa i përket fuqisë së saj.

21 janari dhe gjykimi i 21 janarit do të vendosin një gur të palëvizshëm për deri ku mund të shkojë, apo ku nuk mund të shkojë ushtrimi i forcës represive të shtetit, si rezultat i abuzimit me të nga persona të veshur me pushtet. Po këtë e kam në parim për rastin konkret nuk kam asnjë koment”, tha kryeministri

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA