“Jeta ime, sytë e mi, shpirti im”- shkruan një bashkëshort mbi qefinin e bardhë të mbështjellë rreth bashkëshortes së tij, e cila humbi jetën në luftën që shkatërroi Gazën. Një djalë i pikëlluar nga humbja e të ëmës shkruan në pëlhurën e varrimit “nëna ime dhe gjithçka imja”. Ajo ishte një tjetër viktimë mes 21,000 palestinezëve të vrarë në konfliktin Izrael-Hamas.
Gjatë 12 javëve të fundit, qefini i bardhë është kthyer në simbol të vdekjeve civile të kryera nga Izraeli, teksa hakmerret për Hamasin që vrau 1200 njerëz dhe mori 240 pengje në bastisjen e tij ndërkufitare të 7 tetorit, dita më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit.
Ndërsa territori i rrethuar palestinez përballet me mungesa të mëdha ushqimi, uji dhe ilaçesh, mbulesat e bardha të përdorura për të mbështjellë palestinezët e vdekur gjenden në furnizim të bollshëm.
Por, jo të gjithë qefinët mbajnë fjalë dashurie. I tillë është kaosi i luftës, dhe disa nga të vdekurit nuk mund të identifikohen menjëherë. Në raste të tilla, qefinët mbajnë fjalët “mashkull i panjohur” ose “femër i panjohur”, dhe para se të bëhen fotografitë e varrimit, data dhe vendi i varrimit dokumentohet në mënyrë që individët të mund të identifikohen nga të afërmit më vonë.
Nëse konflikti përshkallëzohet, oferta e mbulesave të bardha të dhuruara nga qeveritë arabe dhe organizatat bamirëse pritet “të mbajnë hapin” me kërkesën. Megjithatë, ka vështirësi të shkaktuara nga numri i madh i të vdekurve, dhe nganjëherë ka boshllëqe në disponueshmërinë lokale të qefinëve.
“Sfidat me të cilat përballemi janë shumë, ka mungesë në thika dhe gërshërë që na duhen për të përgatitur qefinët dhe për t’i prerë ato,” tha Mohammed Abu Mussa, një vullnetar në shoqërinë Keratan, e cila përgatit trupat e vdekur për varrim.
Thika, gërshërë dhe pambuk
“Siç e dini, ka një bllokadë dhe nuk ka materiale në Rripin e Gazës, kështu që ne kemi vështirësi në marrjen e thikave, gërshërëve dhe pambukut”- tha Mohammed Abu Mussa, duke shtuar se kaq shumë njerëz po vdesin sa ndonjëherë qefinet e dhuruara nuk mjaftojnë dhe ai duhet të mbështjellë katër nga pesë persona në një qefin.
Marëan Al-Hams, drejtor i spitalit Abu Yousef Al Najjar, tha se përhapja e qefineve nënkupton vuajtjen e Gazës.
“Numri i madh i dëshmorëve e bëri qefinën e bardhë simbol të kësaj lufte dhe u bë paralel me flamurin Palestinez në ndikimin e tij dhe njohjen e botës për rëndësinë e kauzës sonë”, tha Mussa.
Mbulesa e bardhë kthehet në një transmetim të profetit Muhamed, i cili i inkurajoi ndjekësit e tij të veshin rroba të bardha dhe gjithashtu të mbështillnin të vdekurit me të bardha. Qefinët nga donatorët arabë vijnë të mbushura me një copë sapuni, parfumi, pambuku dhe eukalipt, për përgatitjen e trupave për varrim, tha një mjek në një spital në qytetin jugor të Rafah për Reuters.
Një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza tha për Reuters se qefinët janë prodhuar ose nga materiali tekstili ose najloni. Ndërsa ato najloni janë bërë në të bardhë dhe të zezë, e bardha është ngjyra tradicionale dhe preferohet. Në Gaza në kohë normale në minutën kur dikush vdes, një i afërm shkon në treg dhe blen një “kafan”, ose qefin.
Skenat e kaosit
Por për Abdel-Hamid Abdel-Atti, një gazetar lokal, procesi në Gaza të kohës së luftës filloi mes skenave të kaosit dhe shkatërrimit, me trupat e gjashtë prej të dashurve të tij, përfshirë nënën dhe vëllain e tij, duke u nxjerrë nga rrënojat.
Gjashtë u vranë në një sulm izraelit në kampin e refugjatëve Al-Nusseirat në Rripin e Gazës qendrore më 7 dhjetor. Sulmi shkatërroi një ndërtesë sipër tyre ndërsa ata flinin. Duke e përshkruar procedurën si përvojën më të dhimbshme të jetës së tij, ai mori qefine nga një spital dhe i mbështjellë rreth trupave të të afërmve të tij.
“I pari që bëra ishte vëllai im, pjesa tjetër erdhi i mbështjellë me batanije dhe kërkova që të mos hiqeshin, i vendosa qefinet mbi batanije dhe i lidha me kujdes, para se t’u jepja lamtumirën”, tha Abdel-Atti për Reuters.
“Ndërsa i mbështjella me qefine, pyesja veten se cili ishte faji i tyre … Pse i vrau Izraeli ndërsa flinin në paqe?”
I vetmi ngushëllim, tha ai, ishte se të afërmit e tij do të shkojnë në parajsë. “E bardha i ngjan paqes, i ngjan qetësisë. Është pjesë e traditës dhe besimit tonë dhe me qefin e bardhë, është sikur po i kërkojmë Zotit t’i heqë dhe pastrojë të gjitha mëkatet e tyre dhe t’i pranojë në parajsë”, tha Abdel-Atti.
I pyetur se sa e preokuponte rreziku i vdekjes, gazetari u përgjigj: “Secili prej nesh ka frikë. Me rënien e natës, njerëzit ndihen sikur janë në një kafaz të mbyllur dhe secili pret radhën e tij për të vdekur”.
Top Channel