Ilir Beqaj si ish-ministër Shëndetësie dhe si një person i dyshuar nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, mbërriti këtë të premte në prokurori para orarit të caktuar.
Sot, ai hyri në institucionin e drejtësisë i pa shoqëruar nga avokatët mbrojtës. Gazetarja Anila Hoxha raporton se ai nuk shkoi për të dëshmuar dhe as për të deklaruar, por për të hequr “mungesën javore”, pra për të zbatuar urdhrin e gjykatës që i ka ngarkuar atij detyrimin për tu paraqitur çdo të premte në orën 15:30 përpara një oficeri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ndaj ish-ministrit po kryhet hetim pasuror, ndërkohë që në funksion të hetimeve janë ushtruar kontrolle në banesën e Beqajt.
Kontrollin në banesë e konfirmoi vetë Beqaj, pasi doli nga GJKKO. Kontrolli u bë me vendim gjykate, tha ai. Ndërkohë, ai mohoi të ketë pasur interesa financiarë me ndonjë kompani farmaceutike.
“Në kohën kur kam qenë ministër, nuk kam pasur asnjë interes financiar me asnjë sipërmarrje farmaceutike në Shqipëri apo me pronarët e tyre. Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale, sende pune apo jetese gjenden aty. Ata që erdhën e bënë kontrollin më treguan një vendim gjykate në procesin e një hetimi që bëhet ndaj një personi tjetër”.
I pyetur më tej nga gazetarët për përmbajtjen e vendimit të gjykatës, Beqaj refuzoi të përgjigjet dhe e mbylli me një urim: “Gëzuar Vitin e Ri. Shëndet në familje”.
Nga godina e qelqtë u pa të dilte edhe avokati i tij, Ermal Yzeiri, i cili tha se ishte për një çështje tjetër në SPAK. Por, i pyetur për kontrollin në pronën e Beqajt, ai tha se janë sekuestruar celularë, kompjuter e pajisje të tjera elektronike. Ky kontroll ishte një procedurë për hetimin, sipas tij.
Edhe avokati nuk dha më shumë detaje, duke theksuar se “nuk është sot në SPAK për këtë çështje”.
Top Channel