Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani premtoi “zhvillime të reja” lidhur me Arben Ahmetajn, i cili ndodhet ende në arrati në shtator të këtij viti, por sot në bilancin e fundvitit, duket se nuk ka një përgjigje.
Në takimin me dyer të mbyllura me gazetarët e drejtësisë, Altin Dumani u pyet lidhur me vendndodhjen e ish-ministrit në arrati Arben Ahmetaj, ndërsa përgjigja ishte “Po hetojmë”.
I pyetur për inceneratorin e Tiranës, Dumani tha se nuk ka fraksion të ndarë, por hetimet vazhdojnë për çdo aktor që ka kryer veprime apo mosveprime, duke mos përjashtuar as kryebashkiakun e Tiranës.
“Është në fazë hetimesh paraprake që vazhdojnë në drejtim të çdo faktori që mund të kenë kryer veprime penale, apo persona të tjerë që kanë pasur në duar vendimmarrje. Hetimet po bëhen në kuadër të të njëjtit procedim, jo me fraksion. Do sqarohet pozita e secilit, çdo veprim po verifikohet”-u shpreh Dumani.
Top Channel