Nëse sulmet e Hezbollahut në kufirin me Libanin vazhdojnë, atëherë ushtria jonë do të kalojë në veprim kundër grupit militant, paralajmëroi një ministër izraelit.
Benny Gantz deklaroi se IDF-ja do të ndërhyjë, nëse luftëtarët e grupit të mbështetura nga Iranit nuk i reshtin të shtënat në veri të shtetit hebre.
“Koha për një zgjidhje diplomatike, po përfundon”, u shpreh Gantz. Ndërkohë, edhe kreu i Forcave izraelite të mbrojtjes pohoi se trupat ishin në “gatishmëri shumë të lartë”.
“Detyra jonë e parë është të rivendosim sigurinë dhe të rikthejmë ndjenjën e sigurisë tek banorët e asaj zone, dhe kjo do të marrë kohë”, u shpreh shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë izraelite, gjenerali Herzi Halevi.
Shkëmbimet ndërkufitare të zjarrit janë përshkallëzuar ndjeshëm në rajon që prej sulmeve të Hamasit në Izrael në 7 tetor. Vetëm një ditë më parë, sipas Reuters, Hezbollahu mbështetës i tij, ndërmori numrin më të madh të sulmeve ndërkufitare prej javësh. Kjo bëri të shtohen shqetësimet se konflikti i Gazës mund të zgjerohet vërtet në mbarë rajonin.
“Kronometri i diplomacisë është në fund. Nëse bota dhe qeveria libaneze nuk veprojnë për të parandaluar sulmet mbi banorët në veri të Izraelit dhe për ta larguar Hezbollahun nga kufiri, atëherë këtë do ta bëjë IDF-ja”, paralajmëroi Gantz. Izraeli ndërkohë ka sulmuar qendrën e Gazës nga toka, ajri dhe deti, teksa autoritetet palestineze kanë raportuar për dhjetëra vdekje të tjera në territor.
Shteti hebre vazhdon të jetë i vendosur për të shkatërruar Hamasin, pavarësisht thirrjeve për armëpushim ndërkombëtar dhe për të mos e përkeqësuar më tej krizën humanitare në enklavë.
Top Channel