Biden: Veprimet amerikane synojnë të pengojnë Iranin dhe militantët që të ndërmarrin sulme

28/12/2023 07:10

Aksionet ajrore të ushtrisë amerikane të hënën në Irak synojnë që të pengojnë Teheranin dhe grupet e armatosura të mbështetura nga Irani që të ndërmarrin apo të mbështesin sulme ndaj personelit dhe interesave amerikane në rajon, tha të mërkurën Presidenti Joe Biden.

Ditë më parë, ushtria amerikane ndërmori aksione ajrore hakmarrëse në Irak pas një sulmi me dron më herët nga militantët e lidhur me Iranin, që la në gjendje kritike një ushtar amerikan dhe plagosi dy të tjerë.

Përplasja e radhës është demonstrimi i fundit se si lufta në Gazë midis Izraelit dhe grupit islamik palestinez Hamas rrezikon të përhapet në Lindjen e Mesme.

“Goditjet kishin për qëllim të dëmtonin dhe prishnin serinë e sulmeve të vazhdueshme kundër Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve, dhe për të penguar Iranin dhe grupet e armatosura të mbështetura nga ky vend që të ndërmarrin apo mbështesin sulme të mëtejshme ndaj interesave amerikanë”, thuhet në një letër drejtuar udhëheqësve më të lartë të Kongresit amerikan nga Presidenti Biden. “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin veprime të mëtejshme, sipas nevojës dhe përshtatshmërisë, për të trajtuar kërcënimet ose sulmet e mëtejshme”.

Grupet e armatosura që mbështeten nga Irani në Irak dhe Siri e kundërshtojnë fushatën e Izraelit në Gazë dhe i mbajnë përgjegjëse Shtetet e Bashkuara për shkak të mbështetjes ndaj Izraelit.

Sulmet amerikane në Irak ka të ngjarë të kenë vrarë “një numër militantësh të organizatës Kataib Hezbollah” dhe shkatërruan objekte të përdorura nga grupi, njoftoi ushtria amerikane.

Uashingtoni ka thënë gjithashtu se Irani ishte “thellësisht i përfshirë” në planifikimin e operacioneve kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Irani e mohon përfshirjen në sulmet e organizatës Houthi, të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit përfshirë kryeqytetin. Në solidaritet me palestinezët në Gaza, që nga tetori ata kanë sulmuar anijet tregtare për të cilat thonë se kanë lidhje me Izraelin.

Zyrtarët e shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi thonë se mbi 21,000 njerëz kanë vdekur në ofensivën e Izraelit që pasoi sulmin e Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1,200 njerëz dhe u morën peng rreth 240 të tjerë. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA