Pas protestave të dhunshme përpara godinës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Beograd, ka reaguar me një mesazh të fortë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

“Në orët dhe ditët në vijim, liderët e Serbisë dhe qytetarët e saj duhet të kujtojnë: Legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe nga gatishmëria e të gjitha palëve, fituese apo humbëse, për të respektuar vullnetin e popullit të shprehur në kutinë e votimit”, shkroi ai në platformën X.

Shefi i misionit diplomatik amerikan nënvizoi nga ana tjetër se dhuna dhe vandalizmi ndaj institucioneve shtetërore nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, por sërish duke kujtuar se edhe policia, duke qenë se ruan rendin publik, duhet të bëjë të pamundurën për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve dhe të drejtat civile”. “Kam besim të plotë se Serbia do t’i kalojë këto sfida me demokracinë e saj të forcuar. Të gjithë qytetarët e Serbisë kanë të drejtë të dëgjohen për të shprehur pikëpamjet e tyre politike në mënyrë paqësore dhe pa përdorur dhunë”, u shpreh Hill.

Një ditë më parë, edhe DASH i bëri thirrje autoriteteve serbe të bashkëpunojnë me misionin e OSBE-së në hetimin e pretendimeve për parregullsi zgjedhore. Grupe studentësh organizuan edhe të hënën një tubim masiv në Beograd, pas një nate të tensionuar ku qindra demonstrues u përpoqën të hynin me forcë në bashkinë e kryeqytetit. 38 demonstrues përfunduan në pranga.

Lëvizja opozitare “Serbia kundër dhunës” ka zhvilluar protesta që nga dita e zgjedhjeve në 17 dhjetor, me argumentin se ka pasur parregullsi shumë të mëdha në votimet e fituara nga Partia Përparimtare serbe e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuiçiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA