Presidenti i Republikës, Bajram Begaj iu është drejtuar të gjithë besimtarëve të krishterë me një urim të veçantë për Krishtlindje.
I shoqëruar nga kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos, Begaj uroi paqe e begati nga katedralja ‘Ngjallja e Krishtit’, për të gjithë shqiptarët.
Janullatos: Jemi mirënjohës për presidentin, sepse gjithë këtë periudhë transmeton mesazhin e shpresës dhe dashurisë. Dëshirojmë të punojmë me gjithë zemrën tonë për përparimin e vendit në këtë frymë të krishtlindjes.
Begaj: Sot është një ditë e veçantë. Dita e Krishtlindjes, erdha për t’i uruar këtë ditë të shenjtë. Kjo është ditë e dritës hyjnore, sjell shpresë dhe gëzim për gjithë besimtarët dhe shqiptarët. Gëzuar, të kenë sa më shumë gëzime, begati dhe paqe të gjithë shqiptarët.
Më herët, Begaj u ndal edhe në Katedralen Katolike ku tha se kjo është një ditë shprese, frymëzimi, reflektimi dhe drite, që përcjell harmoni dhe paqe. Zoti e bekoftë kombin tonë, përmbylli mesazhin Dodaj.
Imzot Arjan Dodaj: Dëshiroj të falenderoj Presidentin që veçanërisht në kremtimet në festat tona fetare, të të gjitha kulteve në Shqipëri, ai ka aftësinë kaq të butë që të vejë në evidencë mesazhet që përcjell dhurata e fesë, e dialogut fetar dhe harmonisë midis nesh dhe në rastin konkret, të festës së Krishtlindjes që të vejë në dukje mesazhin që Krishti, Princi i Paqes në një kohë kur paqja akoma mungon. Zoti e bekoftë kombin tonë!
Top Channel