Gjashtë persona kanë rënë në pranga për transport mallrash kontrabandë, pas arrestimit të dy zyrtarëve në pikën e kalimit kufitar Kakavijë.
Strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore përgjatë aksit rrugor Kakavijë- Fier kanë ndaluar 4 kamiona të tonazhit të rëndë, një trajler me rimorkio dhe një furgon të ngarkuar me mallra të ndryshëm, të papajisur me dokumentacionin përkatës për mallrat e importuara, me qëllim verifikimin e dokumenteve, me të cilin ishin pajisur nga punonjësit e Degës Doganore Kakavijë.
Pas verifikimit të kryer, Policia Gjyqësore e AMP, në bashkëpunim me Sektorin kundër Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, në zbatim të urdhërit të Prokurorisë, kanë arrestuar në flagrancë si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” A.A., Doganier, me detyrë përgjegjës turni në Degën Doganore Kakavijë dhe E.SH., Doganier fizik në Degën Doganore Kakavijë. Ndërsa u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.M., me detyrë Doganier i parkimit, si dhe e 3 punonjësve të Antikontrabandës, me shërbim në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, shtetasit F.R., N.S. dhe G.SH.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabandë me mallra të tjera”, i shtetasve drejtues të automjeteve dhe posedues të mallrave të importuara; V.D., 40 vjeç; TH.M., 48 vjeç: R.I., 41 vjeç; A.XH., 45 vjeç; A.M., 50 vjeç dhe F.O., 39 vjeç. Sipas policisë, u procedua në gjendje të lirë shtetasi P.Q.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa dhjetra ton mallra të padeklaruara, aparate telefonikë celular, vlera monetare, etj.
Vijon kryerja e veprimeve hetimore për inventarizimin e mallrave të sekuestruar, këqyrjen e aparateve telefonikë celular, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e instaluara në këtë pikë doganore, për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, duke u fokusuar tek punonjësit e Policisë Kufitare dhe përcaktimin e rolit të secilit prej tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” dhe “Të kontrabandës me mallra të tjera”.
Top Channel