Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se është i gatshëm të shkruaj një draft-statut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe vitin e ardhshëm.
Shtatë pika me kërkesa e deklarime nga Kurti vijnë pas një interviste të ndërmjetësit të dialogut Miroslav Lajçak i cili tha se asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës.
“Në vitin e ardhshëm, mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, tha Kurti.
Sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, këtu ka joseriozitet nga ana e shefit të ekzekutivit të Kosovës.
“Nuk e di pse kryeministri Kurti është dashur që përmes një intervistë të kuptoj që është çështje e brendshme e Kosovës dhe ka qenë e mundur edhe më herët të bëhet kjo. Me gjasë ka më shumë kalkulime për të përfituar në kohë sesa që ta zbatojë”, u shpreh analisti Visar Xani.
Albin Kurti shton se pas draftit “Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024”.
Njohësit thonë se një gjë e tillë është vetëm prognozë e Kurtit.
“Konsideroj që është një prognozë se sa një afat real nëse e shohim në teren, sepse ka jashtëzakonisht shumë paqartësi dhe punë për tu kryer deri të vjen 21 e 22 marsi”, u shpreh analisti Xani.
Mes tjerash kreu i Qeverisë kosovare, thotë se për vendin prioritet është siguria e integriteti territorial, Milan Radojçiç si prijës i grupit që sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator duhet t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës e kërkon sanksione për këtë ndaj Serbisë si përgjegjëse. Kurti tutje kërkon largimin e masave ndëshkuese që BE i ka vënë Kosovës.
Top Channel