Shkaktari i aksidentit të ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku u përfshi në një aksident rrugor makina e Gardës e cila eskortonte familjen e kryetares së Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, Irena Gjoka, është një polic në Policinë Rrugore që po drejtonte mjetin me targa zvicerane.
Gazetarja Anila Hoxha raporton se janë kërkuar kamerat për të parë çfarë rregullash ka shkelur shkaktari i aksidentit, pasi njëri nga gardistët e Republikës ka thënë “që udhëtoi mbas nesh që në Rinas e deri në Selitë”, ku ndodhi aksidenti.
Në Rinas, Garda e Republikës, thuhet nga Policia Kufitare, priti djalin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila prej ditësh është nën ruajtje dhe mbrojtje.
Megjithëse mekanizmi është i dukshëm që është aksident automobilistik, është angazhuar edhe SHISH për informacione më të thelluara, bëjnë me dije burime shumë të sigurta të Anila Hoxhës.
Garda e Republikës tha se i ka kërkuar tre herë personit të aksidentit që të distancohej dhe të mos hynte më eskortim, por shtetasi me detyrë polic rrugor nuk është bindur.
Në dëshminë e dhënë, polici është shprehur se teksa po drejtonte makinën humbi kontrollin për shkak të shiut, duke ia lënë fajin “rrugës”.
Top Channel