Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp është shprehur se territori ku është ndërtuar klubi Partizani nuk ka qenë kurrë e shpronësuar, por ka qenë i rekuizuar.
Ai shprehet se janë publikuar dhe dokumentet që toka ka qenë e rekuizuar, gjë që rrëzon faktin se ka qenë tokë e shpronësuar.
“Territori ku është ndërtuar klubi Partizani nuk ka qenë kurrë i shpronësuar, por me dokumentet e nënmbretit Jakomoni, ka qenë i rekuizuar. Rekuizicioni është një kategori krejt tjetër, në të cilën shteti- sepse Italia paraqitej si shtet këtu- pra Jakomoni ka dekretin e fundit të tij të publikuar në këto fletore, të 30 qershorit të vitit 1943, në të cilin thotë për zonën 3 dhe 4, rekuizimi i tyre shtyhet dhe për 6 muaj.
Çfarë ishte rekuizimi? Rekuizimi ishte bllokimi i pronës, mundet ose jo të të jepte një qira, por ti nuk mund ta përdorje për asgjë atë pronë derisa të shpronësohej ose t’i rikthehej pronarit.
Pra, janë të gjithë dokumentet që faktojnë se toka ka qenë e rekuizuar, çka rrëzon çdo insinuatë se kjo ka qenë tokë me shpronësuar dhe e shpërblyer nga pushteti i atëhershëm, okupatori italian.
Pse i kanë fshehur tani? I kanë fshehur sepse mbi bazën e këtyre fletoreve, këtyre dokumenteve zyrtare, Jamarbër Malltezi ka paditur në Skap për kallëzim të rremë, Taulant Ballën.
Natyrisht Skapi nuk mund të ekspozonte këto dokumente sepse do i duhej të hapte çështje penale ndaj Taulant Ballës”, u shpreh Berisha.
Top Channel