Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të fundvitit me përfaqësuesit e trupit diplomatik në Shqipëri, tha se viti që po lëmë pas ka qenë një vit i mirë për vendin tonë, kjo falë edhe suportit të tyre apo BE-së.
Kryeministri e nisi mbrëmjen duke përsëndetur diplomatët që kanë qenë në Shqipëri dhe që u ka mbaruar mandati, diplomatë të cilët sipas tij nuk e kanë harruar vendin tonë dhe mikpritjen shqiptare, kryesisht ambasadorët amerikanë.
“Ca miq të mirë të një viti më parë nuk janë sot me ne dhe miqve të rinjve qe i kanë zëvendësuar, dua t’iu uroj ngrohtësisht mirëseardhjen rreth kësaj tryeze familjare Është një sekret i madh publik që Shqipëria është një vend i shkëlqyer për të huajt dhe veçanërisht, për ambasadorët e mbi të gjitha, për ata amerikanë. Ende as edhe një i vetëm nuk e ka lënë këtë vend pa keqardhje për përfundimin e mandatit dhe shumë dëshmitarë e kanë konfirmuar herë pas here, qe të larguarit nuk kane mundur ta largojnë Shqipërinë nga vendi i privilegjuar që zë në zemrat e mendjet e tyre. Nëse dikush do të më ndihmojë me një gotë, do të doja të bashkoheshit me mua për t’iu uruar në mungesë një Vit të Ri të gëzuar të gjithë atyre dhe uroj që shqiponjat e këtij vendi t’i ndihmojnë në rrugën e tyre ne vazhdim. Pra, gëzuar për paraardhësit tuaj që nuk janë më këtu! Jam i sigurt që ju kane shume zili juve sonte”, tha Rama.
Rama përmendi situatën e vështirë që kanë kaluar palestinezët dhe ukrainasit, ndërsa uroi që viti i ri të jetë përfundimi i gjithë vuajtjeve të tyre dhe të dyja vendet të jetojnë në paqe.
“Për fat të keq më duhet të sjell dhimbjet e mëdha të Gazës që prej 7 tetorit. Është përgjegjësia e imja dhe gjithsecilit të mos heshtim, në çdo rast të mundshëm. Pa lëvizur asnjë grimcë nga një qëndrim i prerë që nuk ka vend për Hamasin, në një botë që duam të jetojmë. Megjithatë, nuk është fort e vështirë të konstatosh se kaq shumë dhunë dhe shkatërrim nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë si për Izraelin, ashtu edhe për Palestinën. Më lini të uroj që Viti i Ri të jetë përfundimi i të gjithë vuajtjeve. Uroj që të sjellë dritë dhe paqe për ukrainasit, që po luftojnë kundër trupave ruse”, u shpreh kryeministri.
Pjesë e falënderimeve të tij ishte edhe BE , dhe se pa ta ky ndrushim i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor do të ishte i paimagjinueshëm.
“Ishte një vit i mirë për Shqipërinë dhe dua t’ju falenderoj të gjithëve, faleminderit që ishit pjesë e këtij viti si bashkudhëtarë në këtë rrugëtim shprese, ambiciesh dhe pune të madhe për ta transformuar këtë vend në Europën e Ballkanit. Nuk mund të lë pa falënderuar miqtë e mi nga BE, për suportin e fortë që po marrim prej tyre.
Deri jo shumë kohë më parë ky ndryshim qasjeje i tyre ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në përgjithësi do të kishte qenë i paimagjinueshëm. Kjo do të thotë gjithçka për ne por nuk e marrim kaq lehtë. Progresi jonë vazhdon ende, për transformim në një kohë të shkurtër”, shtoi Rama.
Ndër arritjet e këtij viti, ai përmendi “përparimi në bisedimet për anëtarësim e më shumë se 1 000 grave e burrave të angazhuar gjatë 14 muajve të fundit në emër të Shqipërisë për 777 tema të procesit të analizës ligjore dhe institucionale të negociatave”, dhe klasifikimin e Kombëtares së futbollit në krye të grupit në përfundim të eliminatoreve të Europianit 2024.
“Shqipëria po ecën më mirë, por më e mira është e gjitha para nesh dhe jam i sigurt, më shumë se i sigurt, se viti që vjen do të jetë më i mirë se i tanishmi, që ka qenë viti më i mirë deri më sot”, thotë kryeministri, ndërsa edhe viti 2024 shton ai.
Nga ana ekonomike, Rama tha se do të nisin projektet e tjera në infrastrukturë.
“Viti 2024 do të hyjë si viti me borxhin më të ulët publik qëkurse morëm detyrën dhe do të ketë të ardhurat më të larta, falë përmirësimeve të rëndësishme që jemi përgatitur të bëjmë në mbledhjen e tatimeve, pa rritur ndërkohë as edhe një taksë të vetme. Leku nuk ka qenë kurrë më i fortë, inflacioni është kthyer në nivele normale dhe më shumë investime private, vendase e të huaja, do të hyjnë në ekonominë e vendit. Paga mesatare në sektorin publik do të rritet me një nivel rekord, 900 euro, e ndjekur nga një rritje tjetër domethënëse e pagave në sektorin privat dhe ulje e mëtejshme e papunësisë, që do të bjerë nën 10%.
Do të nisin projekte të reja e të mëdha në infrastrukturë dhe energjetikë, nga segmentet e reja të Korridorit Blu, te thirrja për tenderin ndërkombëtar të Portit të Durrësit, një risi e madhe transformuese për të gjithë rajonin. Nga gazsjellësi i ri që do të lidhë termocentralin e rinovuar të Vlorës tek impiantet e reja të energjisë diellore dhe të erës. Le të shpresojmë që më në fund, pas viteve të një pune të gjatë dhe një durimi edhe më të gjatë, këtë vit që vjen do të marrim lajmin e madh që të gjithë po presim nga eksplorimet në Shpirag dhe që më në fund, tregtarët botërisht të njohur holandezë, të flasin e të mos vazhdojnë ta mbajnë për vete sekretin e zbulimit të madh”, tha ai.
Top Channel