Disa orë pas dy incidenteve me armë në Athinë dhe Selanik me protagonistë keqbërës shqiptarë, mediat greke pasqyrojnë gjerësisht veprimtarinë kriminale të bandave mafioze shqiptare në Greqi.

Mes ngjarjeve më të bujshme dhe më të përgjakshme janë vrasja e një hidrauliku në lagjen Nea Ionia shkurtin e kaluar gjatë një përleshjeje mes kriminelëve shqiptarë, si dhe ekzekutimi gjakftohtë i dy personave të tjerë në mes të ditës në një kafene në Nea Smirni në muajin dhjetor, thekson kronika e televizionit publik ERT.

Policia greke deklaron se veprimtaria e tyre përfshin të ashtuquajturat kontratat e vrasjeve me pagesë, trafikimin e qenieve njerëzore, trafikun e drogës, mbrojtjen e bizneseve përkundrejt pagesës, kontrabandën e karburanteve dhe cigareve.

Sipas të njëjtave burime , fitimet e bandave shqiptare janë marramendëse. Këto grupe kriminale listojnë rreth 2500 anëtarë me të ardhura vetëm nga rastet e hetuara nga policia greke , në shumën prej 300 milionë eurosh.

Bandat shqiptare janë gjithashtu të përfshira në 26% të sasisë totale të heroinës së trafikuar, ndërsa në trafikun e hashashit kjo pjesëmarrje shkon në 31%. Zyrtarë të policisë përshkruajnë profilin e këtyre njerëzve , si persona që nuk llogarisin asgjë,as arrestimet dhe as dënimet shumëvjeçare në burgjet greke.

Nga informacionet e fundit zyrtare konfirmohet se pesë bandat shqiptare që dyshohet se operojnë nëpër burgjet e Greqisë qendrore dhe jugore janë përgjegjëse për të paktën 15 sulme kriminale vetëm në muajt e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA