Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha dha detaje se çfarë pritet të ndodhë pasi Parlamenti votoi pro kërkesës së SPAK për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Një burim jo zyrtar tha për gazetaren e Top Channel se dy prokurorët do t’i drejtohen Gjykatës së Posaçme me kërkesën e arrestit shtëpiak.
Sipas Hoxhës, gjyqtarja ka afat për ta shpallur 5 ditë këtë vendim, i cili pritet që të mbyllet brenda kësaj jave.
“Parlamenti përmes një korrieri special ose përmes postës, sjell autorizimin në Prokurorinë e Posaçme, në të cilën dy prokurorët e dosjes “Partizani” e disponojnë atë, nëse vjen ditën e sotme, SPAK i drejtohet menjëherë gjykatës së posaçme me zëvendësimin e masës nga detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit, në një masë më të ashpër për të cilën ende prokurorët nuk konfirmojnë, as zyrtarisht dhe as jo zyrtarisht nëse do të jetë arrest me burg apo arrest në shtëpi. Mundësitë, bën me dije një burim jo zyrtar pranë SPAK, janë që dy prokurorët e posaçëm do t’i drejtohen me kërkesën e arrestit shtëpiak, por ky version vijon të jetë ende jo zyrtar. Pasi të dorëzohet kjo kërkesë që pritet të dorëzohet ditën e sotme. Burime që i referohen jurisprudencës bëjnë me dije se Irena Gjoka s’do të jetë në dhomë këshillimi, por pritet të thërrasë palët, nga njëra anë SPAk, mbrojtjen e Berishës, dy avokatët dhe ish kryeministrin për të zëvendësuar masën e sigurimit personal. Gjyqtarja ka afat për ta shpallur 5 ditë këtë vendim, pritet që të mbyllet kësaj jave. SPAK të procedojë me shpejtësi dhe ajo pasi t’i shqyrtojë të dalë me një vendimmarrje, nuk dihet se si do të vijohet, nëse do të shikohet i njëjti film ku gjykata tentoi të njoftojë disa herë masën ndaj ish kryeministrit”, tha Hoxha.
Top Channel