Veliaj në tregun e gjelave në Baldushk: Të blejmë produkte vendase dhe t’u bëhemi krah fermerëve tanë

20/12/2023 14:03

Siç është bërë traditë, me afrimin e festave të fundvitit, në Baldushk është hapur tregu tradicional i gjelave të detit.

Risia e këtij viti është dyfishimi i numrit të gjelave për shkak të kërkesës së lartë, jo vetëm nga Tirana, por edhe nga qytete të tjera të vendit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës, që të konsumojnë produkte vendase, si një mënyrë për të kontribuar në fuqizimin e ekonomisë sonë lokale.

“Thirrja për të gjithë është: Nuk ka gjel më të mirë se gjeli i Baldushkut! Baldushku sot është markë “Made in Tirana”, “Made in Albania”, jo vetëm si çmim më ekonomik, por krahasuar me atë që vjen e ngrirë, është shumë herë më i mirë. Unë besoj se sot, akti më i madh patriotik është që ta blesh gjelin në Baldushk, ta blesh verën në Lundër, vajin në Ndroq, domaten në Shëngjergj, se duke qarkulluar paratë brenda ekonomisë sonë, sigurisht fuqizojmë një pafundësi të madhe familjesh që jeton me nder e dinjitet”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku kërkoi që të thjeshtësohen sa më shumë procedurat për fermerët, që kërkojnë t’i përkushtohen agro-turizmit, teksa bëri thirrje për të inkurajuar dhe promovuar aktivitete të tilla.

“Më vjen mirë që në këto 8 vite nuk kemi reshtur së promovuari gjelin e Baldushkut, por nga ana tjetër procedurat duhen bërë edhe më të lehta për ata që hapin një agroturizëm ose një fermë. Parimi është që, nëse dikush do të hapë një agroturizëm, që do të rrisë veprimtarinë në aktivitetin e tij, ne t’i bëhemi krah, jo stërkëmbësh. Është një mundësi sesi puna e një viti të tërë shpërblehet në këtë javë të fundit. Secili prej nesh duhet të jetë një agjent marketingu dhe të sigurohemi që viti i ri i gëzoi të gjithë, i ndihmoi të gjithë, por mbi të gjitha ata që sakrifikojnë një vit të tërë për të punuar një javë dhe për të bërë ato shitjet e vitit të ri”, tha Veliaj.

Nga ana e tij, Fatjon Dhuli, drejtori i Agjencisë për Administrimin e Tregjeve theksoi se tregtimi i gjelave të Baldushkut këtë vit ka qenë shumë i suksesshëm. “Pothuajse është dyfishuar rritja e gjelave për këtë vit, nga 25-30 mijë që ka pas qenë vitin që shkoi, këtë vit janë 45-50 mijë krerë”, u shpreh Dhuli.

Ky është viti i shtatë që në prag të festave në Baldushk hapet tregu më i madh i gjelit të detit.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA