U rrëzua kërkesa për Berishën, zbardhet vendimi i GJK: Vetëm Kuvendi ka tagrin…

20/12/2023 17:19

Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e një grupi deputetësh të opozitës që kërkuan rrëzimin e masave të GJKKO-së ndaj Sali Berishës.

Gjykata argumenton se kërkesa u rrëzua pasi nuk plotësonte kriteret ligjorë. Sipas GJK, vetëm Kuvendi i Shqipërisë ka të drejtën që t’i drejtohet me një kërkesë Kushtetueses për këtë konflikt të pretenduar.

“Në datën 15.12.2023 në Gjykatën Kushtetuese është regjistruar kërkesa e një grupi prej jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (30 deputetë) të cilët kanë kërkuar:

– interpretimin përfundimtar të nenit 73, pika 2 të Kushtetutës, i cili parashikon se: “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”;

– zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe SPAK e GJKKO-se përsa i takon çështjes së heqjes dhe/ose kufizimit të lirise së deputetit të Kuvendit në çdo formë, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e Kuvendit;

konstatimin e papajtueshmerisë me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare, të masave shtrënguese të sigurimit personal të caktuar me vendimet giyqësore të GJKKO-se së shkallës së parë dhe apelit ndaj deputetit Sali Berisha si dhe pezullimin e këtyre masave.

Grupi i deputetëve kanë parashtruar se ndaj deputetit Sali Berisha janë vendosur dy masa shtrënguese personale “Detyrimi për paraqitje” dhe Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, pa kërkuar më parë autorizimin e Kuvendit, siç parashikohet nga neni 73, pika 2 të Kushtetutës. Në këtë mënyre, vendimet gjyqësore për vendosjen e këtyre masave kane krijuar një mosmarrëveshje kompetencash midis organit te Kuvendit nga njëra anë dhe organeve te SPAK-ut dhe GJKKO-s nga ana tjetër, prandaj për këtë shkak, lind nevoja e interpretimit te nenit 73, pika 2 te Kushtetutës. Grupi i deputetëve kanë pretenduar edhe se këto masa janë marrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe për rrjedhojë kanë kërkuar pezullimin e tyre. Ata gjithashtu kanë parashtruar se si subjekt i pakushtëzuar nuk kanë detyrimin për të provuar para Gjykatës lidhjen mes veprimtarisë ligjore që kryejnë dhe çështjes kushtetuese të ngritur.

Gjithashtu kërkuesi ka paraqitur ne Gjykatës një kërkesës për përshpejtimin e gjykimit të çështjes duke parashtruar se në datën 21 dhjetor 2023 është caktuar seanca plenare e Kuvendit gatë së cilës është planifikuar miratimi për dhënien e autorizimit për kërkesën e arrestit të deputetit. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 19 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen vendosi ta kalojë atë për shqyrtim ne Mbledhjen e Gjyqtarëve.

Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datën 20 dhjetor 2023, bazuar ne nenin 54, pika 3 të ligjit nr. 8577/2000 tëe ndryshuar, me shumice votash, vlerësoi se kërkesa nuk plotëson kriteret ligjore paraprake për pranimin e saj për shqyrtim në seancë plenare, për këto arsye:

neni 124 i Kushtetutës parashikon se Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj.

Kurse bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “y”, të Kushtetutës, Gjykata vendos për mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, e cila në rastin konkret pretendohet se është midis Kuvendit nga njëra anë dhe SPAK dhe GIKKO nga ana tjetër.

Kushtetuta ka mirëpërcaktuar rastet kur grupeve të deputetëve, u janë njohur të drejta si entitete dhe në këtë drejtim, një e pesta e deputetëve dhe Kuvendi janë subjekte kushtetuese te ndryshme që nuk mund te barazohen me njëri – tjetrin.

Për rrjedhojë, kërkuesi, grupi i deputeteve nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës pasi referuar mosmarrëveshjes së pretenduar të kompetencave, ai nuk është subjekt në konflikt, pra nuk rezulton t’i jetë marrë ndonjë kompetencë apo të jetë cenuar drejtpërdrejt ne ndonjë kompetencë. Grupi i një të pestës së deputetëve, pavarësisht se është pjesë e ushtrimit të veprimtarisë legjislative të Kuvendit, nuk nënkupton qe ai është subjekti kushtetues për të cilin bën fjale neni 73, pika 2, i Kushtetutës, pra ai nuk mund të veprojë ne emër dhe me tagrat e Kuvendit.”-thuhet në vendimin e plotë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA