Kreu i Hamasit, Ismail Haniyeh, ka mbërritur në Kajro për bisedime mbi mundësinë e një armëpushimi të ri në Gaza, teksa trysnia për një ndalim të luftimeve sa vjen e shtohet mbi të dyja palët.
Një rreze shprese erdhi dhe nga presidenti izraelit Isaac Herzog, i cili tha se vendi i tij ishte gati për një tjetër pauzë humanitare. Haniyeh qëndron zakonisht në Katar, por vizita e tij në kryeqytetin egjiptian po interpretohet si shenjë e rëndësishme e një lëshimi në negociata nga ana e grupit militant. Pikërisht Egjipti dhe Katari ndihmuan në ndërmjetësimin e një armëpushimi muajin e kaluar, i cili zgjati një javë.
Falë asaj marrëveshjeje për pushimzjarri, me dhjetëra pengje izraelitë u liruan në këmbim të të burgosurve palestinezë. Po sot pritet që më vonë gjatë ditës, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të votojë për rezolutën e shtyrë që bën thirrje për një pauzë në luftimet. Teksti i fundit, i cili shpresohet të shmangë një veto të SHBA-së, thuhet se bën thirrje për një “pezullim” në vend të një ndërprerje të plotë të luftimeve.
Të gjitha këto vijnë në kohën kur detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ofensivën izraelite në Gaza. Ushtria e shtetit hebre ka sulmuar çdo ditë objektiva të ndryshme në enklavë. Rezultati i këtyre sulmeve, si gjithmonë në raste të tilla, interpretohet ndryshe, Hamas dhe Ministria e tyre e Shëndetësisë pretendojnë se mbi 60% e ndërtesave të banimit në Rripin e Gazës janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë dhe se tashmë 19 mijë banorë humbën jetën, kryesisht gra dhe të mitur.
Ndërsa IDF-ja insiston se fokusi i saj janë tunelet dhe bastionet terroriste, disa nga të cilët tashmë janë shkatërruar. Liran Antebi i Institutit për Kërkime të Sigurisë Kombëtare në Universitetin e Tel Avivit pretendon se ushtria izraelite po përdor në shkallë të gjerë programet e inteligjencës artificiale për të zbuluar dhe për të përcaktuar objektivat e goditjeve ajrore ose ato të goditjeve me artileri.
Vlerësimi i tij është se këto janë programe që kanë autonomi relativisht të lartë dhe analizojnë mjedisin e një objektivi të mundshëm sulmi. Kështu, ata shumë shpejt zbulojnë dinamikën që mund të jetë një kërcënim dhe e klasifikojnë atë si objektiv të një sulmi.
Top Channel