Pas disa muajsh bllokade, parlamenti francez i dha dritën jeshile legjislacionit që ashpërson politikën e vendit për emigracionin.
Projektligji i amenduar mori mbështetjen e partisë së qendrës së presidentit francez, Emmanuel Macron, Rilindja, por edhe asaj të ekstremit të djathtë të Marinë le Pen, Fronti Kombëtar. Votimi megjithatë e përçau partinë e Macronit, pati disa raportime se ministri i tij i Shëndetësisë kishte dhënë dorëheqjen, por ato më vonë u përgënjeshtruan.
Partitë e majta kaluan menjëherë në akuza ndaj kreut të shtetit duke thënë se ai po i bën lëshime të djathtës ekstreme. Një draft i mëhershëm i legjislacionit u hodh poshtë nga parlamenti, si nga Fronti Kombëtar ashtu edhe nga e majta. Qeveria bëri disa ndryshime në tekst, duke ashpërsuar një pjesë të tij.
Ligji e ri e vështirëson akoma edhe më shumë bashkimin familjar dhe vonon qasjen e emigrantëve ndaj përfitimeve sociale. Ai ndalon gjithashtu mbajtjen e të miturve në qendrat e paraburgimit. Le Pen e përshëndeti projektligjin e ndryshuar, duke e përshkruar atë si një “fitore ideologjike” për të djathtën ekstreme. Por grupet e të drejtave të njeriut, e dënuan me forcë duke e cilësuar këtë si ligjin më regresiv të emigracionit për dekada të tëra.
Top Channel