Nisin punimet për linjën energjetike 400 kV Shqipëri – RMV, Balluku: Marrëveshje për ndërtimin e një tjetër linje transmetimi edhe me Italinë

20/12/2023 11:02

Nisin punimet për shtrimin e linjës 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

E ftuar në aktivitet, zv.kryeministrja dhe njëherazi ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka falenderuar pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët në këtë projekt dhe më pas është ndalur shkurtimisht edhe tek investimet në një sërë projektesh të tjera sikurse “Korridori 8”, krijimi i një parku të ri fotovoltaik dhe një linjë të re të transmetimit energjitik mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Kjo është një ditë e rëndësishme, veçanërisht për sistemin elektroenergjetik shqiptar, pasi ky nuk është thjesht një projekt i cili do të ndihmojë sistemin tonë, por ky është një projekt rajonal dhe unë do të thoja një projekt europian. Do ta nisja me një projekt të madh, gjigand, strategjik që unë kam shumë për zemër. Këtu ndodheni në Korridorin VIII. Ky është Korridori VIII. Korridori VIII ka disa komponentë, shpeshherë kur flasim për të mendojmë vetëm për transportin, por nuk është e vërtetë. Korridori i VIII është një Korridor energjetik, është Korridor hekurudhor, është Korridori i transportit rrugor dhe mbi të gjitha është Korridori i sigurisë europiane. Është Korridori që lidh detin Mesdhe me detin e Zi dhe Shqipëria gjendet në zemër të këtij Korridori. Shqipëria është një nga hallkat më të rëndësishme të këtij Korridori.

Sot kur krenarisht ne marrim pjesë një çdo takim ndërkombëtar, jo vetëm europian, apo çdo tryezë ku flitet për energjinë dhe tregojmë historinë tonë të suksesit, se si një vend i vogël prodhon 100% energji të rinovueshme, por që ka një strategji agresive për të ardhmen, një strategji e cila do ta kthejë vendin tonë, që detyrohet të importojë energji jo të rinovueshme gjatë ditëve të thata të verës, që do të jetë në të ardhmen një eksportues neto. Që do të ofrojë sigurinë energjetike për një rajon kaq të rëndësishëm, siç është rajoni i Ballkanit.

Kjo linjë interkonjeksioni, linja 400 kilovoltshe e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i shton kapacitetet tona transmetuese me 1500 megavatorë duke na dhënë kështu një komoditet të jashtëzakonshëm për të gjitha ato mundësi që ne do të kemi në të ardhmen. Siç ju e dini shumë mirë kemi nisur një sërë projektesh, siç është parku i Karavastasë apo ai i Spitallës apo 1.7 gigavat aplikime të ardhura nga sektori privat, të cilin ne e vlerësojmë shumë për të gjithë angazhimin që ka marrë në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme. Të gjitha këto kapacitete padyshim kanë nevojë për kapacitete transmetuese.

Një lajm i cili mbështet aprovimin që Bashkimi Europian i ka bërë Korridorit VIII duke e renditur atë dhe duke e futur si pjesë të Korridoreve Paneuropiane dhe tashmë duke e mbështetur me një paketë granti mbi 50%. 62 milionë euro janë vendosur në dispozicion nga WBIF për të mbështetur mbi 50% një nga projektet tona më të rëndësishme, hekurudhën e Korridorit VIII, atë që do të lidhë Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe më pas Bullgarinë. Segmenti i parë i këtij projekti është hekurudha Durrës-Rrogozhinë, ku kemi një nyje ndërlidhëse për të vazhduar pastaj me një aplikim tjetër, që ne presim ta bëjmë në verën e 2024, që është aplikimi për Rrogozhinë-Pogradec, duke mbyllur kështu të gjithë sistemin hekurudhor nga Tirana në Durrës, në Rrogozhinë e më pas në Pogradec”– tha Balluku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA