Transportonte një çantë me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, për ta shitur, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 25-vjeçari.
Sekuestrohet çanta me lëndë narkotike, të cilën 25-vjeçari tentoi ta fshihte kur pa punonjësit e Policisë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas do të transportonte një çantë me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, me qëllim shitjen e saj, kanë organizuar punën në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli”, për ndalimin e këtij shtetasi.
Në fshatin Delbnisht, Kurbin, është lokalizuar dhe ndaluar shtetasi Besnik Ndreca, i cili sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka tentuar të fshehë në anë të rrugës, një çantë brenda së cilës u gjetën 3 kilogramë e 165 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi Besnik Ndreca, 25 vjeç, banues në fshatin Delbnisht, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Lënda narkotike dhe një aparat celular u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel